Ministria e Jashtme e Rusisë ka thirrur ambasadorin e SHBA-së në Moskë më pak se një orë pasi administrata e presidentit Joe Biden njoftoi sanksione të reja kundër vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë shtypi në Moskë, zëdhënësja e ministrisë Maria Zakharova tha se biseda do të jetë “e vështirë” për ambasadorin e SHBA-së dhe se Rusia do t’i japë “një reagim vendimtar” “sjelljes agresive” të SHBA-së.
“Ne kemi paralajmëruar në mënyrë të përsëritur SHBA-në për pasojat e hapave armiqësorë që rrisin në mënyrë të rrezikshme shkallën e konfrontimit midis vendeve tona. Një kurs i tillë nuk plotëson interesat e popujve të dy fuqive bërthamore që mbajnë përgjegjësi historike për fatin e botës”, tha Zakharova.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se Presidenti i SHBA-së Joe Biden kishte shprehur interes në normalizimin e lidhjeve midis Washingtonit dhe Moskës gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin.
Megjithatë, veprimet e administratës së tij lënë të kuptohet e kundërta, tha ajo.
“SHBA-ja nuk është e gatshme të pajtohet me realitetin objektiv të një bote multipolare që përjashton hegjemoninë amerikane dhe presionin e sanksioneve dhe ndërhyrjen në punët tona të brendshme”, tha Zakharova.
“Një sjellje e tillë agresive do të marrë sigurisht një refuzim vendimtar. Përgjigja ndaj sanksioneve do të jetë e pashmangshme. Washingtoni duhet të kuptojë se degradimi i marrëdhënieve dypalëshe ka një çmim. Përgjegjësia për atë që po ndodh bie tërësisht mbi SHBA-në”, shtoi ajo.
Më herët gjatë ditës, Washingtoni njoftoi sanksione të reja kundër Moskës, dy ditë pasi zyrtarët amerikanë sugjeruan që udhëheqësit e të dy vendeve mund të zhvillonin një takim.
Sanksionet e reja parashikojnë dëbimin e dhjetë diplomatëve që punojnë në Ambasadën e Rusisë në Washington, ndalimin e kompanive amerikane nga blerja e drejtpërdrejtë e bonove ruse të lëshuara pas 14 qershorit 2021 nga Banka Qendrore e vendit, Fondi Kombëtar i Mirëqenies ose Ministria e Financave.
Gjashtëmbëdhjetë individë dhe 16 organizata u goditën me masa kufizuese për ndërhyrjen e tyre të pretenduar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.
Sanksione shtesë mbi pretendime se Rusia inkurajoi sulmet talibane kundër ushtarëve amerikanë në Afganistan “u trajtuan përmes kanaleve diplomatike, ushtarake dhe të inteligjencës”, për shkak të “ndjeshmërisë së kësaj çështjeje”, sipas një deklarate në internet të botuar nga Shtëpia e Bardhë.