Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me mbështetje zvicerane furnizoi IT pajisje për Qendrat për Zhvillimin e Rajoneve Planifikuese

Në kuadër të projektit “Zhvillim rajonal i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës” – faza e dytë, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ka realizuar me sukses procedurën për furnizimin me pajisje IT për të gjitha tetë Qendrat për Zhvillimin e Rajoneve Planifikuese. Ky projekt, i mbështetur nga Qeveria e Zvicrës, përfaqëson një investim të rëndësishëm në përmirësimin e kapaciteteve të Qendrave dhe aftësinë e tyre për të ofruar shërbime më efikase dhe më cilësore për qytetarët.

Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, sot u realizua në mënyrë simbolike dorëzimi i pajisjeve, me ç’rast drejtorët e Qendrave njëzëri theksuan se ato do t’i ndihmojnë ndjeshëm në sigurimin e qasjes më të shpejtë dhe më efikase në informata, si dhe do të jenë një mbështetje e madhe në përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha rajonet e vendit.

Pajisjet e furnizuara, të cilat përfshijnë kompjuterë portativë dhe personalë, monitorë, printerë multifunksional dhe sisteme NAS, janë të përshtatura plotësisht me nevojat e Qendrave për Zhvillimin e Rajoneve Planifikuese. Vlera e përgjithshme e këtij donacioni arrin 1.295.500,00 denarë dhe do të ketë ndikim pozitiv të drejtpërdrejtë në funksionimin e këtyre institucioneve.

Vendosja e qendrave të forta dhe të pajisura mirë përfaqëson themelin për një rritje dhe zhvillim të vazhdueshëm, i cili do të përmirësojë kushtet e jetesës për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për ata në rajonet më pak të zhvilluara.

 

Marketing