Ministria për Sistem politik dhe ITShKSh organizuan ngjarjen “Françesko Altimari, studiues i gjuhës dhe i letërsisë arbëreshe”

Ministria për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet
bashkësive bashkë me Institutin për trashëgimi shpirtërore e kulturore
të shqiptarëve në Shkup sot me rastin e manifestimit “Ditët e Alfabetit”
organizuan eventin “Françesko Altimari, studiues i gjuhës dhe i
letërsisë arbëreshe”.

Marketing

Në ditën e katërt të manifestimit tashmë tradicional, kulturor dhe
shkencor “Ditët e Alfabetit” studiuesit që ishin prezent shpërfaqën
fuqinë mahnitëse të gjuhës arbëreshe, e cila për më tepër se gjashtë
shekuj ia dalë të mbetet gjallë dhe me këtë të mbajë në jetë edhe vetë
shpirtin arbëresh.

Udhëheqësja e Departamentit të Gjuhës Shqipe në ITShKSh, znj. Hidajete
Azizi gjatë këtij paneli në fjalimin e saj para të pranishmëve tha se
gjatë përpjekjeve të intelektualëve për të ruajtur gjuhën arbëreshe
ishte i pashmangshëm pikësynimi: një komb dhe një gjuhë.

Sipas znj. Azizi një nga kontribuuesit e kohës moderne të çështjes së
ruajtjes së gjuhës arbëreshe është z. Françesko Altimari, studiues i
gjuhës dhe letërsisë arbëreshe por edhe të gjithë bashkë atdhetarët e
tij arbëreshë që kryesisht jetojnë në jugun e Italisë.

Gjatë këtij panel diskutimi, një nga referuesit z. Anton Nikë Berisha,
tha se Françesko Altimari është një nga studiuesit më me famë të ditëve
të sotme në fushën e albanologjisë, e në veçanti sa i përket arbëreshëve
të Italisë. Sipas z. Berisha, Altimari përveç që është anëtar nderi i
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 2006, anëtar i jashtëm i
Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nga viti 2008 dhe profesor
i rregullt që nga vitit 1991 në katedrën e fakultetit Albanologjik të
Universitetit të Kalabrisë, ai është dhe promotori më i mirë i kulturës
arbëreshe.

Manifestimi “Ditët e Alfabetit -2021” do të vazhdojë përmes aktivitete
të njëpasnjëshme edhe atë deri më 22 nëntor, me ç’rast nga studiues të
ndryshëm do të shtjellohen edhe temat: “Matteo Mandala studiues i
letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe”, “Anton Nikë Berisha studiues i
letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Muzika arbëreshe”, etj.

Marketing