Raportimet në shtypin gjerman, të cilat Deutsche Welle po i riboton, flasin për dorëheqjen e afërt të ministres së Mbrojtjes Christine Lambrecht.
A do të japë dorëheqjen përfundimisht ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht?
Bild është i pari që publikon lajmin, i cili madje komenton dorëheqjen e afërt: “Nuk ndodh shpesh që një politikan – dhe veçanërisht një ministër – të kuptojë vetë se dorëheqja e tij është e pashmangshme. Përkundrazi, Lambrecht e kuptoi se Ministria e Mbrojtjes , me të cilën ajo nuk ishte njohur kurrë, kishte nevojë për një fillim të ri. Në këtë mënyrë, ajo i vendos ambiciet e saj në plan të dytë dhe i ofron një shërbim të vlefshëm Gjermanisë”.
Sa i përket pasardhësit të Lambrecht-it, Bild paralajmëron se “Kancelari Scholtz nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim si Lambrecht. Ishte e qartë që në fillim se ish-ministrja e Drejtësisë thjesht nuk i njeh çështjet ushtarake.”
Por edhe Spiegel Online pretendon se “sipas informacioneve të saj” ministrja e Mbrojtjes do të japë së shpejti dorëheqjen. Revista gjermane pretendon se ajo ka pranuar të shpallë vetë dorëheqjen të hënën. Ndoshta deri atëherë Scholtz do të ketë gjetur pasardhësin ose pasardhësen e saj.”
Süddeutsche Zeitung, në edicionin e saj online, pretendon se; “Për javë të tëra, përfaqësuesja e qeverisë federale për Forcat e Armatosura, Eva Heggle dhe zëvendësministri janë konsideruar si pasardhësit e mundshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Meqenëse kabineti duhet të përbëhet nga një numër i barabartë burrash dhe grash, vetëm një grua mund ta marrë përsipër, nëse nuk ka një riorganizim më të gjerë të qeverisë”.
“Gjermania do të dërgojë Leopard”
Një nga çështjet që duhet të zgjidhë shpejt ose Christine Lambrecht ose pasardhësi i saj në ministri, është vendosja e mundshme e transportuesve të blinduar të tipit Leopard në Ukrainë. Stuttgarter Zeitung beson se “është vetëm çështje javësh”. Së shpejti qeveria federale do t’i dorëzohet presionit dhe do të dërgojë automjete të blinduara Leopard në Ukrainë. Për Ukrainën ky është një lajm i mirë, por edhe një sfidë”.