Ministrja spanjolle: Kulmi i të infektuarve me koronavirus po rrafshohet

Ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzales, tha në një intervsitë për BBC-në se shifrat e fundit të të prekurve me koronavirus në këtë vend, tregojnë se “kulmi i sëmundjes po rrafshohet”.

Marketing

Autoritetet spanjolle i konfirmuan të hënën edhe 6,398 raste të reja me koronavirus.

Kjo e çon në 85,195 numrin total të të infektuarve në Spanjë.

Autoritetet raportuan edhe për 812 viktima në 24 orët e fundit, të cilat e çojnë në 7,340 numrin total të të vdekurve.

Me këto shifra të viktimave, Spanja është vendi më i prekur në botë, pas Italisë.

Madridi, Katalonja dhe rajoni bask mbeten zonat më të prekura në Spanjë.

Megjithatë, sipas autoriteteve, numri i të infektuarve të rinj në këtë vend është më i vogli i raportuar në një javë.

Ministrja Gonzales tha se presioni ndaj njësive të kujdesit intensiv mbetet sfida më e madhe, por shtoi se kufizimet e lëvizjes së njerëzve do të ndihmojnë në kontrollimin e përhapjes së sëmundjes.

Ajo tha se është e padrejtë të veçohet Spanja, sepse edhe vendet e tjera – përfshirë Italinë dhe SHBA-në – kanë shifra të papara të të infektuarve.