Qeveria e Republikës së Maqedonisë krahas masave pozitive për angazhimin e saj në përshpejtimin e integrimeve euroatlantike, këto kohë ballafaqohet dhe me kritika negative jo pa peshë për opinion publik. Më të rejat janë për vendimin e Qeverisë që të marrë fonde nga shteti për ti shpenzuar gjatë fushatës informative për mbajtjen e Referendumit, shkruan gazeta KOHA. Kjo, pasi ky veprim bie ndesh me konventat evropiane për mbajtjen e Referendumit, sipas të cilave, institucioneve nuk u lejohet të shpenzojnë para për fushatë për Referendumin. Në këtë rast, merr vëmendje edhe vonesa disa mujore me zgjedhjen e anëtareve të rinj në Komisionin për luftimin dhe parandalimin korrupsionit, i cili duhej të jep vlerësim nëse Qeveria ka pasur të drejtë të vendosë që të mbledh fonde nga buxheti për reprezantacion të ministrive për t’ia dedikuar fushatës për Referendumin. Kritikat nuk mungojnë në drejtim të asaj se një muaj e gjysmë para mbajtjes së Referendumit, institucionet qeveritare dhe ndërmarrjet publike kanë intensifikuar konkurset për 200 punësime.
Rreth 125 të punësuar kërkohen nga Armata e Maqedonisë, Regjistri Qendror ka hapur konkurs për 34 vende të reja pune, Enti Shtetëror i Statistikës 22 vende, Arkivi Shtetëror 9, Shërbimet në Qeveri 8 vende, Radio Televizioni i Maqedonisë 7 vende, Ministria e Arsimit 3 vende të reja pune. Kjo po kritikohet nga shumë analistë politik dhe ekspertë zgjedhor.
“Nëse kemi parasysh dy taborët politike, ku njëri tenton me çdo kusht që Referendumi të dalë i suksesshëm dhe tjetri me ngulm e kundërshton të njëjtin, atëherë s’do mend se konkurse të këtilla interpretimin e parë e marrin se bëhen me qëllim të arritjes së qëllimit për suksesin në Referendum”, ka thënë publicisti Blerim Hyseni. Sa i përket transparencës, ndonëse Qeveria e Zoran Zaevit proklamon me të madhe se është lider në rajona, por një gjë e tillë në disa segmente lë shumë për të dëshiruar. Versioni në gjuhë shqipe i faqes elektronike i Qeverisë nuk është aktiv dhe ka probleme të dukshme me përditësimin e materialeve.
Edhe faqet elektronike të disa ministrive janë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, por jo edhe në shqip, siç janë Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria për Shoqëri Informative dhe Administratë Publike, Ministria e Financave, e Transportit dhe Lidhjeve dhe Sekretariati për çështje ekonomike. Nga ana tjetër, shpenzimet për jetesë rriten ndërkaq rritja e rrogave ende nuk ka filluar gjë që ka rritur pakënaqësinë e qytetarëve ndaj Qeverisë. Anketa e fundit ku LSDM nuk qëndron larg VMRO-së sa i përket rejtingut politik merret si indikacion se Qeveria megjithatë nuk po punon në drejtim të realizmit të programit parazgjedhor. Sa i përket ikjes së trurit jashtë vendit, e pranojnë edhe vetë dy zyrtarët më të lartë shtetëror, kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, gjatë prononcimeve të tyre kur u festua 17 vjetori i Marrëveshje së Ohrit. Mjekët dhe motrat medicionale janë shtresa që me ngulm kërkojnë të dalin jashtë vendit për pagë me të madhe. Qeveria përkundër premtimeve se do të rrisë pagat e specialistëve deri në 150 euro, ende nuk ka shenja të qarta se do të realizojë atë. Zyrtarë të lartë qeveritar, ku më i theksuari është zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, kritikohet nga opozita për ryshfete dhe korrupsion, por deri më tani nuk ka raste që janë proceduar në Gjykata.
Kur jemi tek gjykata, Sindikata e punonjësve administrativ ka paralajmëruar grevë në fillim të shtatorit nëse atyre nuk u paguhet rreziku në punë prej 30 për qind njëjtë siç u paguhen gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve administrativ në Prokurorinë Publike. Kërkesë tjetër e sindikatës është që tu kthehen paratë që, sipas tyre, me të padrejtë u është marr 40 për qind e pagës mujore gjatë kohës së grevës dy vite më parë. Përdorimi i veturave zyrtare fenomen ky negativ nuk la pa prekur edhe Qeverinë e Zaevit. Të afërm të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike u panë të shkojnë në pushime në Greqi me veturë zyrtare e që pati jehonë në media. Qeveria reagoi duke e shkarkuar në mbledhjen e fundit drejtorin Llaze Velkovski. Edhe në fushën e arsimit jo gjithçka shkon mirë. Universitetet e Maqedonisë as këtë vit nuk janë në mesin e 1000 universiteteve më të mira në botë sipas publikimit më të fundit të Listës së Shangait.
“Ngecja shkon aq larg saqë pagesat për punimet me impakt faktor u ndërprenë dhe nuk paguhen. Minimumi që mbështeste ministria aktivitetin shkencor, u zhduk, nuk ka projekte shkencore dhe hulumtuese fare. Një numër i instituteve me vite nuk kanë pranuar asistentë, diçka që presim të korrigjohet nga kjo qeveri, por për fat të keq, asgjë nuk është bërë. Nuk ka asistentë të rinj, nuk ka pasardhës dhe ne do të zhytemi edhe më thellë në larg nga majat për të cilat po flasim”, thotë profesori universitar Nenad Novkovski.
Ndryshe sa i përket fakulteteve, nëse marrim si shembull Universitetin e Tetovës, janë të paktë ata që organizojnë Konferenca shkencore kredibile dhe botojnë revista të veta shkencore. Fakulteti i Administratës së Biznesit në Kumanovë, për ndërtesën e së cilit u investuan rreth 1 milionë euro, por jo dhe për staf të ri akademik, organizimi të ndonjë konference shkencore dhe revistë shkencore. Sa i përket taksave administrative, Qeveria ndonëse më orientim të majtë, nuk i ka zvogëluar ato. Për shembull, ende paguhet taksë e 6000 denarëve për të hyrë në test për noter, test për përkthyes gjyqësor dhe test për provimin jurisprudencës. Në marrjen e patentë shoferit, në vend së të zvogëlohen taksat, janë rritur për 30 për qind.