Miratohen ndryshimet në Ligjin për shërbimin në ushtri

“Kuvendi i Maqedonisë miratoi ndryshimet në Ligjin për shërbimin në ushtri, pasi kjo zgjidhje ligjore u bllokua nga opozita për një vit të tërë”, thotë deputeti nga radhët e LSDM-së Mile Taleski.

Marketing

Sipas tyre këto ndryshime ofrojnë përfitime serioze për anëtarët e Ushtrisë.

Pagat e personelit aktiv ushtarak dhe civil do të rriten për më shumë se 2000 denarë.

Për personelin aktiv ushtarak dhe civil parashikohet pagesa e pushimit mjekësor në masën 100% të pagës bazë dhe shtesa në pagë, si dhe vendosen kushte të favorshme për bursa për personelin e ri dhe premtues të specialiteteve kritike për Ushtrinë.

Përfitime ka edhe në pjesën në daljen në pension të ushtarëve.

Nga LSDM thonë se tash e tutje, ushtarët do të fitojnë të drejtën e pensionit pas plotësimit të 40 viteve të shërbimit, respektivisht 38 vjet për gratë, pavarësisht moshës.

Një përllogaritje e re ka edhe për personelin aktiv ushtarak dhe civil që ka fituar të drejtën e pensionit nga dita e krijimit të Ushtrisë, në masën 80% të 10 viteve më të favorshme të shërbimit pensional.

Ndryshimet krijojnë mundësinë e pagesës së pagës së largimit për ushtarët profesionistë mbi 45 vjeç në masën dy paga mesatare, por jo më pak se 1000 euro për çdo vit të kaluar në shërbim.

Nga LSDM theksojnë se e rëndësishme është gjithashtu që ndryshimet ligjore të rregullojnë fushën e profesionalizmit, paanshmërisë dhe ligjshmërisë në kryerjen e detyrave në Ushtri dhe Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë politikisht neutrale.

Ligji përcakton me vendosmëri se në Ushtri nuk ka vend për veprimtari partiake dhe ndoshta pikërisht kjo ka qenë arsyeja që VMRO-DPMNE-ja ka tentuar ta bllokojë miratimin e këtij ligji me 2000 amendamente shprehen nga LSDM.

Megjithatë, në fund u miratuan ndryshimet ligjore dhe përfitimet e tyre do t’i ndjejnë mbi 6700 pjesëtarë të ushtrisë që çdo ditë janë në mbrojtje të shtetit.

“LSDM përmes Qeverisë dhe shumicës parlamentare do të vazhdojë të investojë në mbrojtje, në kapital njerëzor dhe në çdo gjë që është e rëndësishme për shtetin”, deklaroi deputeti Mile Taleski nga rradhët e LSDM-së.