Në qendër të vëmendjes së mbledhjet së sotme të Këshillit komunal të Kërçovës, ishte debati për Buxhetin e vitit 2022, që kap shumën prej 14 milion e 836 mijë euro, të cilat do të harxhohen për investime në projekte të ndryshme që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe sportiv.
6.5 milion euro përbëjnë buxhetin themelor të komunës, ndërsa 8 milion euro do të harxhohen për bllok dotacionet e shkollave fillore dhe të mesme të komunës.
Me buxhetin e vitit 2022 do të realizohen projekte nga fusha e infrastrukturës, mjedisit jetësor, sportit e kulturës, tha kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari. Pas debatit të zhvilluar dhe vërejtjeve të prezantuara nga këshilltarët e listës së pavarur, këshilli komunal me shumicë votash e miratoi buxhetin e komunës për vitin 2022 së bashku me vendimin për realizimin e tij.
Në vazhdim këshilltarët miratuan edhe disa vendime nga fusha e mjedisit jetësor si dhe planet vjetore të financimit për shkollat fillore dhe të mesme të Kërçovës.