“Miratohet plani” i Kryqit të Kuq për evakuimet nga Mariupoli

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ka thënë të premten, 1 prill, se është miratuar plani i tij për evakuime nga Mariupoli nga “autoritetet e nivelit të lartë” të Ukrainës dhe Rusisë, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Marketing

Organizata shpreson që evakuimet mund të ndodhin të premten dhe planifikon të udhëheqë 54 autobusë ukrainas dhe makina private në një konvoj jashtë qytetit të rrethuar.

Mirëpo Kryqi i Kuq nuk ka siguruar leje për ndihmë humanitare, dhe është nisur pa furnizime.

Zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Ewan Watson ka thënë para gazetarëve në Gjenevë se “përpjekjet kanë qenë dhe janë jashtëzakonisht komplekse”.

Ai ka thënë se “mijëra njerëz” synohet të largohen të sigurt nga qyteti.

Petro Andryushchenko, këshilltar i kryetarit të Mariupolit, ka thënë më herët gjatë ditës se Rusia është duke bllokuar dërgimin e ndihmës në qytetin e rrethuar dhe është duke parandaluar hapjen e “korridorit humanitar” në mënyrë që banorët të ikin nga luftimet e ashpra mes forcave ukrainase dhe atyre ruse.

“Qyteti vazhdon të jetë i mbyllur dhe me dalje shumë të rrezikshme përmes transportit publik”, ka thënë ai.

Qyteti i Mariupolit ka pasur një popullsi prej 430,000 banorësh para shpërthimit të luftës.

Sulmet ruse në këtë qytet kanë shkatërruar një spital materniteti, qendra kulturore dhe shtëpi banimi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.