Miti i industrializimit në Shqipërinë komuniste

Ergys Mërtiri

Marketing

Gjatë regjimit komunist, vendi hyri në një proces radikal industrializimi, por pa realizuar dot një zvillim industrial të vërtetë. Shqipëria mbeti një vend bujqësor, me një ekonomi të planifikuar të paaftë për të konkuruar me asnjë vend në rajon, duke u zhytur në varfëri të thellë, si kurrë më parë. Ideja e industrializimit mbeti më shumë një propagandë e pushtetit sesa një realitet. Sidoqoftë, konsolidimi i vërtetë i miteve moderniste në Shqipëri realizohet më shumë gjatë kësaj periudhe, ku puna dhe zhvillimi industrial zenë një vend qendror. Mitet moderniste u përdorën prej kësaj ideologjie, për të instaluar përfytyrimin e saj mbi botën dhe shoqërinë.

Vetë komunizmi është një pikëpamje që punën e ka në zemër të botëuptimit të tij. Komunizmi është një ideologji qe ka në themel një përballje klasore mbi punën dhe mjetet e prodhimit. Natyrisht, puna do të ishte bazamenti kryesor mbi të cilën edhe komunizmi shqiptar do të ndërtonte ideologjinë dhe propagandën e vet. Jo më kot, Partia Komuniste, ndryshoi emrin pasi erdhi në pushtet, duke u quajtur Parti e Punës.

Ajo do të prodhonte një ligjërim të pasur mbi punën, ndërtimin e vendit dhe zhvillimin teknologjik e industrial të tij. Miti i industrializimit ishte një nga kolonat kryesore të retorikës enveriste, dhe një nga krenaritë më të mëdha të propaganduar asokohe, së bashku me atë të mbrojtjes së atdheut të materializuar tek “ushtria popullore”. Vetë simbolet e regjimit, të promovuara sipas parrullës “në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, tregojnë paralelet ku vendosen shinat e marshimit të revolucionit enverist drejt destinacionit historik të projektuar për kombin shqiptar.

Regjimi ka punuar fort për të përftuar imazhin e një vendi që po zhvillohet e industrializohet me ritme revolucionare. Edicionet informative dhe faqet e gazetave ishin të mbushura me lajme që trumpetonin arritjet e vendit që nga ndërtimi i veprave industriale, hapja e tokave të reja, risitë teknologjike të prodhimit, e deri tek realizimi i planit në çdo fabrikë, ndërmarrje apo kooperativë bujqësore. Një sërë veprash të mëdha industriale, si uzina, fabrika, kombinate, ndërtoheshin pranë qyteteve kryesore dhe rrugëve nacionale, në mënyrë që ato të ishin të dukshme për kalimtarët dhe mund të shërbenin si ekspoze të madhështisë së pushtetit që i kish krijuar. Psh. Kombinati Metalulgjik i Elbasanit, shpalosej madhështor përgjatë rrugës malore Tiranë-Elbasan, duke u shfaqur si një qytet më vete, nga veranda e qafës së Kërrabës. Njësoj si kishat gotike në mesjetë, veprat e mëdha industriale, si fabrika, uzina, kombinate, janë monumentet e madhështisë së pushtetit që lartësohet në sytë e individëve, për ti bindur ata në fuqinë e tij.

Jo vetëm lajmet dhe mjetet e përditshme të propagandës, por edhe letërsia, artet figurative dhe kinematografia e kohës, janë angazhuar të instalojnë këtë përfytyrim mbi publikun e kohës. Industrializimi zinte një pjesë mjaft të madhe të subjekteve të filmave, dramave, romaneve, poezive e këngëve të kohës, ku glorifikohej roli i Partisë në zhvillimin e vendit dhe promovohej ndërgjegjësimi popullor për t’u angazhuar në projektet e mëdha të saj. Madje ky përfytyrim ngulitej deri në kopshtet e fëmijëve, nëpërmjet vjershave e këngëve që i kushtoheshin babait minator, metalurgëve apo kombinateve, puna e të cilëve ua bënte jetën më të bukur.

Piktura sociorealiste shqiptare, është e mbushur me kompozime fabrikash e kantjeresh ku heronjtë e rinj të socializmit pozojnë në mënyrë patetike plot vrull e krenari për triumfet e përditshme të një vendi që po shpërthen drejt zhvillimit. Imazhe të tilla instalohen deri tek prerjet e kartmonedhave ku përftohen vizualizime të arave plot grurë që dallgëzojnë me madhështi prej reformave agrare të ndërmarra nga partia, montatorëve të palodhur që projektojnë të ardhmen e lulëzuar të vendit mes vinçave që mbajnë peshën e transformimeve të mëdha, punonjëseve të tekstilit që i jepen gëzueshëm ritmit të makinerive apo digave të hidrocentraleve të mbushura me “dritën e partisë” e cila shpërndahet në çdo shtëpi, bashkë me gëzimin për arritjet e mëdha të atdheut socialist.

Në të njëjtën mënyrë kinematografija e kohës i përkushtohej fuqishëm tematikave me heronj që çajnë bllokadat në krijimin e veprave të mëdha industriale, duke i thurur himne zhvillimit të vendit, e paralelisht me të edhe djersës së njerëzve të thjeshtë e të përkushtuar, që punojnë me vetmohim, deri në vetëflijim për ndërtimin dhe mbrojtjen e tyre. Filma me një tematikë të tillë, që flasin për diga hidrocentralesh, ndërtime hekurudhash, tharje kënetash, ndërtime fabrikash, shpime pusesh për naftë, probleme minierash, rritje të prodhimit në ara, prodhime e montime makinerish etj. janë të shumtë në repertorin e kinemasë shqiptare, dhe kanë qenë një ndër objektet themelore ku mbështetej propaganda e regjimit, bashkë me atë të luftës antifashiste. Kjo lloj tematike mbushte edhe festivalet e këngës, me ritme revolucionare fabrikash e uzinash, ku lulëzon, jo vetëm jeta e vendit, por ku nisin edhe dashuritë e të rinjve, për tu bërë nesër prindër të mirë dhe punëtorë të zellshëm në ndërtimin e atdheut.

Vetë propaganda e kohës predikonte ndërtimin e vendit, si një vazhdim të revolucionit komunist të nisur nëpërmjet pushkës së partizanëve në luftën kundër okupatorit gjatë pushtimit nazi-fashist. Industrializimi i vendit, konsiderohej një vazhdim i kësaj lufte, i cili kërkonte të njëjtën vetëdije revolucionare e vetëmohuese sa ajo e përballjes me pushtuesit.

Në perceptimin e propagandës komuniste, ky zhvillim i madh i vendit, paraqitej si një lloj triumfi, jo vetëm mbi forcat e errëta reaksionare, klasën e përmbysur, zakonet prapanike dhe mbeturinat mikroborgjeze, por edhe mbi vetë natyrën, të cilën regjimi kish marrë përsipër ta ndryshojë rrënjësisht.
Pavarsisht se flitej rëndom mbi Shqipërinë si një vend i bukur e i begatë, retorika e tij pohonte se kjo është bërë e mundur falë punës së palodhur të partisë, e cila ia kish ndërruar faqen vendit.

Udhëheqja politike e kohës ndërmori një mori aksionesh për transformime rrënjësore të vetë natyrës, shumë prej të cilave sollën edhe dëmtim të resurseve: Tharje kënetash, aksione pyllëzimi, ndërtimin e digave që krijonin liqene mbi lumenj, krijimi i brezareve etj. Një parrullë e kohës për ndërtimin e tarracave mbi kodra predikonte moton e partisë “t’u qepemi maleve dhe kodrave, për ti bërë ato më pjellore se fushat”. Në aksione të tilla, janë prerë pyje pa fund, për të ndërtuar brezare, me qëllim që edhe zonat kodrinore të shndërroheshin në tokë bujqësore. Dhe kjo bëhej në një kohë kur predikohej se pyjet po shtoheshin në saj të aksioneve popullore të organizuara për mbjelljen e fidanëve të rinj.

Elektrifikimi i vendit predikohej si një arritje e madhe në luftë me errësirën e natës. Këngë me tematikë sociorealiste glorifikonin mbërritjen e dritës elektrike në fshat, si një sfidë ndaj paaftësisë së natyrës për të na e bërë natën të ndriçuar. Teksti i një kënge të tillë metaforizon lënien pa punë të hënës në qiell, nga elektrifikimi i vendit:

Doli hëna prapa malit,
T’i ndriçojë rrugën djalit.
Foli hëna, ç’duhem unë
Fshati paska drita shumë.

Lufta me natyrën u përshkallëzua doemos edhe në raport me natyrën njerëzore. Në predikimet e kohës, por edhe në veprat artistike komunisti paraqitet si një qenie e mbinatyrshme, pa vese, pa dobësi, i papërkulshëm përballë çdo lloj vështirësie, i patundueshëm nga asnjë lakmi njerëzore, tek i cili nuk depërtonte kurrë as frika, as dyshimi, as hezitimi. Komunisti ishte njëfarë mbinjeriu, jo i natyrës niçeane që i adresohet vullnetit për pushtet, por i një natyre moraliste të karakterizuar një altruizëm i thellë: “I pari në sakrifica, i fundit në pretendime”.

Paralelisht me zhvillimin ekonomik, inxhinieria sociale ideologjike e regjimit kish projektuar një industri njerëzore për fabrikimin e një lloji të ri të shqiptatësh, që ajo e quante “njeriu i ri”. Kjo ishte një qenie kuazinjerëzore, e shkëputur nga trualli kulturor i trashëguar, dhe rivendosur në kushte të tjera jetese, të fabrikuara nga laboratorët e një industrie kulturore që kërkonte riprodhimin e shoqërisë nga fillimi. Në këtë mënyrë, ashtu si dhe në Rusi e vende të tjera, komunizmi shqiptar, projektoi dhe vuri në zbatim zhvillime kulturore që synonin transformime rrënjësore. Edukimi në shkolla, teatrot, kinemaja, qendrat dhe vatrat e kulturës, deri tek grupet artistike në çdo ndërmarrje e kooperativë, u angazhuan të masivizonin kulturën e fabrikuar nga pushteti, në funksion të krijimit të njeriut të ri.

Në thelb, i gjithë ky angazhim përbënte model tjetër të “kulturës së masave”, të trajtuar nga Hannah Arendt. Vetëm se, në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me shoqëri konsumi, por një shoqëri të centralizuar në funksion të një projekti ideologjik, Këtu nuk është industria komerciale e kulturës që prodhon objektet kulturore në funksion të argëtimit, por është një industri e planifikuar shtetërore, që produktet i krijon në funksion të indoktrinimit. Kultura nuk shkatërrohet për të prodhuar argëtim, por manipulimin e masave në funksion të një projekti politik.

(Fragment nga “Teknokultura që kolonizon shoqërinë shqiptare”, Rev. “Medius” nr.2)

Marketing