“Nuk më kujtohet.” Kjo ishte përgjigjja më e shpeshtë e Mitko Çavkovit për dëshminë lidhur me arrestimin e Lube Boshkovskit. Ai këtë mëngjes është shoqëruar nga burgu i Shkupit në Gjykatën Penale si dëshmitarë i Prokurorisë Speciale për rastin “Tortura”.
Përveç përgjigjes se bëhet fjalë për vepër penale lidhur me financimin e fushatës zgjedhore, Çavkov pyetjeve të tjera për atë se cili ishte roli i tij si ish-shef i departamentit të krimit të organizuar në atë kohë dhe nëse ai personalisht ka marrë pjesë në këtë rast, tha se nuk i kujtohen detajet.
Çavkov nuk tregoi edhe për atë se cili institucion e kishte regjistruar arrestimin e Boshkovskit – BSP apo DSK dhe nëse ai kishte urdhëruar arrestimin e tij, pasi që kanë kaluar shumë vite. I pyetur nëse i ka telefonuar Ivica Ançevskit – Puki për ta arrestuar Boshkovskin, ai u përgjigj se kjo periudhë përkon me ndërhyrjen e tij mjekësore në spital dhe nuk i kujtohet.