Mjegulla krijon pengesa në rrugët e Maqedonisë, kujdes në këto akse rrugore!

Për shkak të mjegullës, dukshmëria është zvogëluar deri në 50 metra në rrugën Kriva Pallankë – vendkalimi kufitar Deve Bair, kumtojnë nga LAMM.

Marketing

“Mbetet ndalimi për automjete të rënda në rrugën Krak Mavrovë – Zhirovnica, dhe Tetovë – Kodra e Diellit, ku po ashtu ndalimi vlen për kamionët dhe autobusët, ndërsa për të tjerët është i detyrueshëm përdorimi i pajisjeve dimërore, njofton LAMM.

Rruga Makedonski Brod – Shkup, afër fshatit Blizansko është ende e bllokuar për qarkullim për të gjitha automjetet, për shkak të rrëshqitjes së dheut.

“Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet në rrugë me lagështirë. Për shkak të numrit të madh të rrëshqitjeve të dheut në rrugët Dellçevë-Koçan, Dellçevë-Pehçevë dhe Dellçevë-vendkalimi kufitar Dellçevë, rekomandohet që këto rrugë të mos frekuentohen pa nevojë”, thonë nga LAMM.

Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar, respektimin e sinjaleve të përcaktuara të komunikacionit e veçanërisht drejtim të automjetit me kujdes, posaçërisht në rrugët nëpër gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për pjesët rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.