Mjekët kontradiktorë rreth momentit të vdekjes së Fadil Vokrrit

Ylli i futbollit kosovar Fadil Vokrri të shtunën në mëngjes u përball me një sulm në zemër që doli të jetë fatal për të. Përveç një ndihme të parë, që iu dha nga një zyrtar i EULEX’it, i cili ka qëlluar në qendrën e fitnesit, ku Vokrri ka qenë duke ushtruar, aty ka arritur autoambulanca. Në opinion tashmë janë ngritur pikëpyetje rreth ndihmës mjekësorë që i është ofruar. Pse Vokrri i goditur nga ataku në zemër aty ka qëndruar rreth 30-40 minuta, e masat reanimuese nuk i janë ofruar në autoambulancë. Dilemë tjetër mbetet momenti i vdekjes së tij. Në QKUK dhe në Qendrën e Mjekësisë Urgjente japin të dhëna kundërthënëse për këtë.

Marketing

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, Bujar Gashi, ka shpjeguar për Gazetën Express rreth trajtimit mjekësor që ekipet e tij i kanë dhënë Vokrrit të shtunën.

Gashi tregon se ambulanca është thirrur në ora 9:29 nga vendi i ngjarjes, një palestër sportive në Dragodan, ndërsa ka mbërritur aty 7 minuta më vonë, në ora 9:36.

“Qendra e Mjekësisë Urgjente është ftuar në numrin 194 në ora 09:29 minuta në ditën e shtunë. Ekipi e Qendrës Urgjente ka arritur në vendin e ngjarjes në ora 09:36 minuta, do të thotë për 7 minuta ekipi ynë ka qenë në vendin e ngjarjes. Sipas ekipit të parë që ka mbërritur në vendin e ngjarjes, zotëri Vokrri ka qenë i shtrirë dhe në atë moment mbi të ka qenë duke u bërë masazh dhe duke iu dhënë ndihma e parë. Sipas ekipit, një person i EULEX-it, i cili ka qenë rastësisht në palestër, por para tij edhe dy persona të tjerë, e kanë ndihmuar duke e freskuar dhe duke u munduar t’ia hapin rrugët e frymëmarrjes”, shpjegon Gashi.

Sipas tij, ekipet i kanë dhënë ndihmën e duhur mjekësore Vokrrit, duke ia kryer të gjitha masat reanimuese për 30 minuta, deri në momentin kur në aparatura, ekipet mjekësore kanë mundur që të shohin një puls të zemrës në trupin e legjendës së futbollit kosovar.

“Sipas raporteve dhe ekipeve që kanë qenë në vendin e ngjarjes, z. Vokrri është reanimuar për më shumë se 30 minuta në vendin e ngjarjes. Është dhënë terapia e nevojshme dhe e duhur për rastin dhe gjendjen konkrete. Pas gjithë asaj pune mjeku i cili ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është kompetent, është autonom për veprimet e tij, ka vendosur që ta transportojë tutje në Qendrën Klinike Universitare. Janë disa rregulla të cilat ekipet e qendrës urgjente dhe çdo qendër tjetër i zbaton”, thotë Gashi.

Mjeku ka theksuar se nëse Vokrri nuk do të kishte asnjë shenjë jete, atëherë nuk do të transportohej për në QKUK.

“Tentimet për reanimacion dhe ringjallje bëhen në vendin e ngjarjes ashtu edhe siç është vepruar edhe në rastin konkret. Në monitorët të cilët kanë qenë duke e monitoruar punën e reanimacionit ka pasur disa ritme me të cilat mjeku ka vendosur që ta transportojë tutje”, tregon për ngjarjen shefi i Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, Bujar Gashi.

Në opinion tashmë janë ngritur pikëpyetje rreth ndihmës mjekësore që i është ofruar. Pse Vokrri i goditur nga ataku në zemër aty ka qëndruar rreth 30-40 minuta, e masat reanimuese nuk i janë ofruar në autoambulancë. Për personat që përballen me sulme në zemër koha është vendimtare. A është dashur që Vokrri të dërgohet pa vonesa të gjata në QKUK?

Bujar Gashi insiston se legjenda e futbollit ka dalë i gjallë nga qendra e fitnesit.

Por, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës japin një konstatim tjetër.

Ata deklarojnë se Fadil Vokrri në këtë qendër është dërguar i vdekur. Kështu kanë thënë shefi i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani dhe shefi i ekipit emergjent në këtë klnikë, Avdush Bajgora.

“Pacienti Fadil Vokrri ka ardhur pa asnjë shenjë jete. Dhe sipas mjekut kujdestar i cili e ka trajtuar Fadil Vokrrin, doktor Musli Gashi, pacienti ka ardhur pa asnjë shenjë jetë. Ne vetëm e kemi konfirmuar vdekjen. Emergjenca ka qenë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, mirëpo pacienti ka ardhur pa asnjë shenjë jete”, ka thënë Bajgora gjatë ditës së shtunë.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik 1960 në Podujevë. Ish-ylli i Prishtinës dhe i Partizanit të Beogradit, qysh në moshën 15- vjeçare ishte aktiv në futboll. Dy vite më pas, e pati debutimin e parë në vendlindjen e tij, në KF Llapin e Podujevës. Shkëlqimin në fushë, Vokrri e pati në vitet e ’80-ta, kur debutoi në përfaqësuesen e Jugosllavisë, duke u bërë i vetmi futbollist nga Kosova që luajti për këtë përfaqësuese. Ai shënoi 6 gola në 12 paraqitjet e tij me Jugosllavinë.

Vokrri u zgjodhë para dy vitesh si kryetar i FFK’së. Në maj të vitit 2016, Kosova u pranua fillimisht në UEFA, e më pas në FIFA, falë punës së tij të palodhshme që nga paslufta për të realizuar ëndrrën e secilit kosovarë./

Marketing