Mjeku epidemiolog, Fabian Cenko tha për Euronews Albania se ajo që u konfirmua nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve Infektive në Kinë se niveli i mbrojtjes së vaksinës kineze nuk është aq i lartë sa i vaksinave të tjera, tregon se faza e tretë e studimit të efektshmërisë, ka pasur probleme.
Sipas mjekut nga dozat që janë injektuar deri tani mund të bëhet një studim për të vërtetuar shkallën e mbrojtjes së vaksinës.
Ndërkaq sipas tij, ulja e numrit të të infektuarve me COVID-19 nuk lidhet me injektimet e bëra deri tani.
Cenko theksoi se nëse i referohemi deklaratës së zyrtarëve kinez, për një efektshmëri deri në 50% të vaksinës, popullsia në Shqipëri nuk ka pasur asnjë dobi sepse jo vetëm janë vaksinuar shumë pak njerëz por dhe aq sa janë vaksinuar kanë marrë vetëm një dozë.
“Nga ana shkencore ideja e kombinimit të dozave të ndryshme të vaksinës, kombinimi i AstraZeneca me Pfizer apo vaksina të tjera, pra gjithçka që ne kemi thënë deri më sot nuk janë të vërteta të padiskutueshme por të dhënat që dokumentet shkencore kanë provuar dhe dokumentuar,” – tha mjeku, teksa shtoi se nuk duhet të shqetësohemi për efikasitetin e vaksinës aq sa për t’u vaksinuar sa më shumë të jetë e mundur.
Epidemiologu solli në vëmendje se të gjithë të vaksinuarit duhet të kenë parasysh respektimin me rigorozitet të masave mbrojtëse.