Dr. Zekirja Shaini nga fshati Sllupçan, është specializant në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup, derisa dr. Vangel Neçevski në Klinikën për Sëmundje Infektive. Që të dy, javë më parë, me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë, u zgjodhën si pjesë e ekipit përforcues për në Spitalin e Dibrës.
“Bashkëqytetarë, situata është serioze. Kulmi na pret më pastaj, a se si do të jetë, varet nga ne! Gjithçka do të shkojë mirë nëse respektohen masat”, apelojnë doktorët dr. Vangell Naçevski dhe dr. Zekirja Shaini, drejtpërdrejtë nga qendrat e krizës në Dibër.
“Respektoni masat! Qëndroni në shtëpi!”, apelojnë doktorët, shkruan gazeta KOHA.
Menjëherë pas shpalljes së Dibrës si zonë krize nga infektimi me COVID-19, në vendin e ngjarjes, në ndihmë të ekipit të vogël prej dy infektologëve lokal dhe një epidemiologu, krahas të tjerëve, erdhën edhe Prof. Dr. Mile Bosilkovski nga Klinika për sëmundje infektive dhe gjendje febrile dhe Dr. Vangel Naçevski dhe Dr. Zekirja Shaini nga Klinika për pulmologji dhe alergologji.
Puna në Dibër realizohet në dy ndërrime, duke përfshirë edhe vikendet.
“Çdo ditë kontrollohen tash më pacientët e diagnostifikuar me COVID 19, të cilët janë me pasqyrë të lehtë dhe mesatarisht të rëndë klinike, dhe realizohen kontrolle të pacientëve simptomatik, të cilëve u merret bris dhe trajtohen sipas nevojave. Kontrollet e përditshme realizohen përmes ambulanteve në Spitalin e përgjithshëm në Dibër ose shkohet në vizita shtëpiake. Briset dërgohen në Shkup dhe çdo ditë merren rezultate. Pacientët që kanë pasqyrë të rëndë klinike ose kanë përkeqësim akut, dërgohen në Shkup me urgjencë, që në mënyrë preventive të mos eskalojë gjendja e tyre, duke e ditur ecurinë e mundshme të paparashikueshme dhe destabilizimin e mundshlm të gjendjes që mund ta shkaktojë virusi”, thotë doktor Shaini.
Ai tregon se personeli mjekësor në Dibër marrin pajisje përkatëse për mbrojtje dhe punë të sigurt me pacientët e infektuar, sipas nevojave dhe kërkesave. Ata janë në komunikim të vazhdueshëm me drejtorin e spitalit, Dr. Baki Alili, i cili u ndihmon në punën dhe vendosjen e logjistikës së duhur.
“Kolegë, personel mjekësor, çdoherë bartni pajisje mbrojtëse me cilindo pacient. Të kemi forcë dhe durim t’i kontrollojmë të gjithë pacientët dhe t’u shpjegojmë për seriozitetin e gjendjes, si dhe masat që duhet të respektohen më se seriozisht. Pjesa më e rëndësishme është që të mbani llogari për atë se si vendoset, si menaxhohet dhe si hiqet dhe mënjanohet në mënyrë të rregullt pajisja. Të kemi kujdes të gjithë së bashku! Shihemi së shpejti”,
rekomandojnë doktorët nga Dibra.
Ndryshe, Dr. Zekirja Shaini nga fshati Sllupçan, është specializant në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup, derisa dr. Vangel Neçevski në Klinikën për Sëmundje Infektive. Që të dy, javë më parë, me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë, u zgjodhën si pjesë e ekipit përforcues për në Spitalin e Dibrës. (koha.mk)