Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit vazhdon konsolidimin dhe fuqizimin e saj në terren, duke zgjeruar dhe forcuar strukturat organizative. Në këtë kuadër, është zyrtarizuar nëndega “Teli” në lagjen Gazi Babë të degës së Çairit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfaqësimit të denjë dhe aktivizimit politik në këtë zonë.
Në një atmosferë entuziaste dhe me pjesëmarrje të gjerë, anëtarët e Lëvizjes Demokratike shprehën përkushtimin e tyre për një proces zgjedhor transparent dhe demokratik. Në kuadër të këtij organizimi, Adnan Ejupi u emërua kryekoordinator i kësaj nëndege, ndërsa ekipi përbëhet nga dhjetëra aktivistë të përkushtuar që njihen për angazhimin e tyre në komunitet.
Ky mobilizim i fuqishëm është dëshmi e qartë e rritjes dhe fuqizimit të Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit, e cila po ecën përpara me vizion të qartë dhe energji të reja. Me një strukturë të organizuar dhe një ekip të përgatitur, LD-ja synon të ofrojë një alternativë të fortë dhe të besueshme për qytetarët në proceset zgjedhore të ardhshme.