Mogherini mbledh sot në Bruksel udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka organizuar sot një takim joformal me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Në këtë takim do të diskutohet për situatën në rajon, arritjet gjatë vitit 2018, si dhe planet për vitin e ardhshëm.
Në këtë ngjarje do të marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku do të diskutohet për zhvillimet e fundit mes dy shteteve.

Marketing

“Në vitin 2018 është konfirmuar perspektiva e qartë evropiane, e bazuar në meritat dhe rezultatet, për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor” thuhet në njoftimin e shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Pos Thaçit e Vuçiq, në takim do të jenë të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Herzegovinës, Denis Zvizdiq.

Komisioni Evropian, në shkurt, miratoi strategjinë për Ballkanin Perëndimor, ndërkaq në samitin me BE-në në Sofje, në muajin maj, u mblodhën gjithë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për herë të parë pas 15 vjetëve.