Monitoruesit identifikojnë të metat që përcjellin zgjedhjet në Kosovë

Organizatat joqeveritare në Kosovë të cilat kanë shprehur interesimin e tyre për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, thonë se janë duke u fokusuar në disa çështje, që ishin evidentuar edhe në proceset e kaluara si parregullsi dhe shkelje.

Marketing

Votimet familjare dhe presioni mbi votuesit, janë vetëm dy nga çështjet të cilat përmenden si dobësi që i ndjekin proceset zgjedhore në Kosovë.

“Demokracia në Veprim”, është një rrjet prej 10 organizatave anëtare dhe 38 organizatave partnere të cilat do ta monitorojnë procesin e zgjedhjeve. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (që bën pjesë në rrjetin Demokracia në Veprim), thotë për Radion Evropa e Lirë se në ditën e zgjedhjeve do të angazhohen më shumë se 2 mijë vëzhgues.

Bazuar në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por edhe ato lokale, ai thotë se pritjet në fakt janë që parregullsitë, eventualisht të përsëriten.

“Presim se mund të kemi votime grupore, votime familjare dhe lloje të tjera të votimit të cilat nuk janë të lejuara në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, por edhe në bazë të rregulloreve të tjera të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Cakolli.

Ai thotë se partitë politike do të monitorohen edhe gjatë fushatës parazgjedhore pasi që edhe aty ato shpesh bëjnë shkelje të ligjit dhe rregullave zgjedhore. Sipas tij, në zgjedhjet e fundit, partitë politike kanë bërë gabime e keqpërdorime të ndryshme duke nisur nga pjesëmarrja e fëmijëve në fushata e deri te shfrytëzimi i resurseve shtetërore për qëllime partiake.

Cakolli thotë se pritjet, megjithatë, janë që të ketë përmirësime, pasi që edhe vet partitë politike janë zotuar se nuk do të përsëriten disa nga shkeljet që i kanë përcjellë proceset zgjedhore në të kaluarën.

“Ato duhet të respektojnë memorandumet e shumta që janë nënshkruar për përmirësimin e procesit zgjedhor. Presim që fushata të jetë e qetë dhe pa probleme”, tha Cakolli.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për Radion Evropa e Lirë se siguria në zgjedhje dhe mbarëvajtja e tyre duhet të garantohet nga organet e sigurisë dhe mekanizmat e drejtësisë në mënyrë që të parandalohen veprimet që mund të dëmtojnë fushatën zgjedhore dhe vet procesin e votimit.

“Duke u bazuar edhe në zgjedhjet e kaluara, të cilat ne si Institut i Kosovës për Drejtësi i kemi monitoruar, kemi parë se kryesisht në fshatra ose në zona më të thella, ende ndodhin votimet familjare, ende në njëfarë mënyre ka raste kur mundësohet se persona të caktuar votojnë disa herë. Ende mund të ketë presion mbi votuesit. Por, e gjithë kjo mund të tejkalohet nëse do të kemi një reagim të duhur të policisë dhe prokurorisë”, tha Miftaraj.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të nisë me 25 shtator dhe do të zgjas deri më 4 tetor. Më 5 tetor, do të jetë heshtje zgjedhore. Ndërsa, me 6 tetor do të mbahen votimet për përbërjen e legjislaturës së shtatë të Kosovës, nga e cila më pas do të zgjidhet edhe qeveria e re e Kosovës për mandatin katër vjeçar

Shoqëria civile si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë nga vendet e Quint-it u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje që të sigurohen që në listat e tyre të kandidatëve për deputetë të mos ketë emra të personave të inkriminuar ose që kanë dosje të hapura nëpër gjykata.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.

Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.