Dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë në rastin “Monstra”, i koduar si E1 ka deklaruar para trupit gjykues se ka qenë në Smillkovë ditën e vrasjes dhe se ka dëgjuar edhe të shtëna armësh para vrasjes. Prokurorja Fatime Fetai, ka theksuar se dëshmitarit nuk i është parashtruar pyetje konkrete më herët në lidhje me të shtënat prandaj i njëjti nuk e ka përmendur këtë fakt.
Nga ana e gjykatës dëshmitarit i janë kërkuar detaje për veturat në vendin e ngjarjes në ditën e vrasjes së pesëfishtë si dhe detaje tjera sa i përket ambientit ku ka ndodhur krimi. Ai ka thënë se nuk i kujtohet nëse ka parë në vend ngjarje dy të akuzuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismajlloviq të cilët gjenden në Kosovë në pritje të procedurës për ekstradim.
Por, dëshmitë e tij nuk janë pranuar nga pala mbrojtëse pasi sipas Avokati Naser Raufi bëhet fjalë për dëshmitar të rrejshëm. Ndërsa sa i përket ekstradimit të Afrim Ismajlloviq dhe Alil Demiri ai tha se kërkesa mund të dërgohet vetëm zyrtarisht por do të refuzohet përsëri.
Prej pyetjeve që i parashtroi trupi gjyqësor u kuptua që ky dëshmitar është i rrejshëm dhe të gjitha përgjigjet që ka dhënë deri tani edhe para gjyqit tregon që dyshohet në deklaratat e këtij dëshmitari. Sot dolën edhe informata të reja, doli që ka dëgjuar edhe gjuajtje.
Neve këto pyetje nuk na janë lejuar në procedurën e mëparshme. Puna e ekstradimit sigurisht do të bëhet si herën e parë, pra Republika e Kosovës do të refuzojë t’i ekstradojë ti ekstradoj këto persona, nga arsyeja që ata nuk janë realizues të këtij krimi. Këtë e vërtetoi edhe vetë procedura që u rikthye prej fillimi – deklaroi Naser Raufi, Avokat.
Edhe familjari i të akuzuarve Bedri Hajdari vlerëson se dëshmitari nuk e flet të vërtetën. Ai thotë se kanë besim tek PSP-ja por se mungesa e fakteve mund ta vështirësoj rastin.
Unë mendoj se ky dëshmitar është gënjeshtar, është i angazhuar nga qarqe të ndryshme për të mbuluar rastin. Unë mendoj se ky është një kriminel i cili pas vetes ka një bagazh të dënimeve. Kemi besim tek Prokuroria Speciale, por nëse mungojnë faktet dhe nëse atyre nuk u prezantohen të gjitha materialet ose të gjitha faktet, atëherë çfarë mund të bëjë Prokuroria Speciale – u shpreh Bedri Hajdari, Familjar i të akuzuarve.
Trupi gjykues ka vendosur ti bëhet një ekspertize edhe makinës “Opel Omega” që dyshet se ka qenë e pranishme në vendin e krimit. Gjatë procedurës fillestare palës mbrojtjes nuk i ishte lejuar hetimi i këtij automjeti. Vrasja e pesëfishtë në Smillkovë në vitin 2012 la të vdekur pesë persona. Për këtë rast me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismajloviq, Fejzi dhe Haki Aziri si dhe Sami Luta. Në dhjetor të vitit të kaluar pas rikthimit të rastit për gjykim të serishëm, të akuzuarit u lanë të mbrohen në liri.