“Monstra”, dëshmi e ekspertëve për automjetet

Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” ka vazhduar me prezantimin e ekspertizës së makinave që dyshohet të jenë përdoruar nga autorët e krimit pranë liqenit të Smillkovës më 12 prill të vitit 2012. Në seancën e sotme janë dëgjuar të dhënat e tre ekspertëve të MPB-së që kanë kryer analizat në makinat “Opel Omega”, “Golf 3”, Foslfagen Pasat”, “Pezho 306” dhe “Mazda 626”.

Marketing

Analiza mbi identitetin e makinës është kryer sipas sistemit evropian për regjistrim të automjeteve. Makina “Opel Omega”, është me numër origjinal identifikues megjithatë gjatë kontrollit të sistemit është vërtetuar se shenjat e regjistrimit janë origjinale po nuk janë të kësaj makine, gjegjësisht i përkasin makinës “Mercedes 123”. Nga kontrollet e kryera në bazën e makinave të regjistruara në Maqedoni për automjetin “Opel Omega” është konstatuar se kjo makinë asnjëherë nuk është regjistruar në Maqedoni.

Sa i përket makinave tjera, sipas ekspertit, të gjitha kanë qenë me identitet të rregullt dhe tabela origjinale. Në pyetjen e Prokurores speciale nëse ka pasur çelës në makinë deri sa është bërë ekspertiza, eksperti tha se makina ka qenë me çelës origjinal dhe se e njëjtë është ndezur me sukses.

Paraprakisht dy ekspertë që kanë kryer analizat mbi gjurmët e gishtave dhe shenjave tjera, kanë thënë se tek makina “Pezho 306” janë identifikuar shenja të akuzuarit Alil Demiri dhe të Sami Lutës ndërsa tek makina “Folsfagen Pasat” janw identifikuar personat e Alil Demirit, Agim Ismailoviq dhe Fejzi Aziri.

Por, pala mbrojtëse dhe familjarët e të akuzuarve mbeten në qëndrimin se provat dhe dëshmitë janë të montuara.
Vetura Opel Omega nuk ka qenë e siguruar siç janë veturat tjera, janë marrë ndoshta 10-12 vetura nga MPB, të gjitha kanë qenë të siguruara përveç Opel Omegës që hedh një dyshim që kjo veturë dhe intervali kohor që u humb, praktikisht 1 vjet e gjysmë nuk dihej se ku është dhe nuk dihet kush e ka marr çelësin dhe kjo është një indikacion që provat janë të montuara- tha avokati Naser Raufi.

Eksperti sqaroi shumë qartë se çelësi ekzistonte në bravën e veturës dhe e ka filluar me punë motorin. Nga aty del se edhe për sa kilometra kishte karburant që do të thotë se çelësi ishte aty ndërsa kur ne vizituam veturën para afro një muaji pamë që vetura ishte e mbyllur dhe nuk kishte çelës- tha Bedri Ajdari-familjar.

Avokatja e palës së dëmtuar Dafinka Ivanovska tha se tani u dëshmua se veturat janë faktet kyçe që dëshmojnë të vërtetën e kësaj ngjarje.

Në lidhje me konstatimet e deritanishme se këto vetura nuk janë elemente të ngjarjes, në fakt sot u dëshmua e kundërta- tha Dafinka Ivanovska- Avokate .

Seanca e radhës është caktuar më 19 nëntor kur pritet të prezantohen të dhënat e ekspertëve të mjekësisë ligjore.