Familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”, nuk e pranojnë si dëshmi veturën “Opel Omega”, e cila në aktakuzë thuhet se është përdorur për ikje të të dyshuarve pas vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, pasi që sipas tyre, vetura është fshehur për 6 vjet dhe tani nuk ka kushte për ekspertizë njofton Portalb.mk.
“Ka munguar çelësi, nuk dihet kush e ka hapur atëherë e kush e ka mbyllur tani, ato e kishin hudhur në njëfarë shkretëtire, për neve ajo nuk është asnjë lloj argumenti. 6 vjet po e fsheh, çfarë ishte problemi që atëherë nuk mundej e tani mundet. Nuk e pranojmë si dëshmi, ne dyshojmë se ka gjëra të ndërruar aty, e kanë përgatitur dhe ja ku është. Kjo është shumë abuzive, atëherë e dërguan lajmin në BBC, e tash me ua treguar fotografinë ta shohin se ku ruhen gjërat për një vrasje të pesëfishtë, me i pa fotografitë trishtim, pra shkretëtirë, aty kush ka dashur ka mundur të hyjë”, thotë Ajdari për Portalb.mk.
Ajdari thotë se në seancën e radhës do të pyesin se a është e mundur që të ekzistojnë ato që i kanë gjetur, pra nëse kanë gjetur ADN, prapë duhet të gjejnë, por sipas tij, në këto kushte nuk është e mundur që të bëhet ekspertizë e re.
Në seancën e radhës, gjegjësisht më 19 tetor, pritet që të prezantohen analizat e ekspertizave për “Opel Omegën”.
Paraprakisht, prokurorët, trupi gjykues, por edhe të akuzuarit dhe opinioni kanë marrë pjesë në ekspertizën publike që i është bërë veturës “Opel Omega” që sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë lëvizur me të njëjtën pas vrasjes. Tekniku i MPB-së, pasi e hapi veturën, vërtetoi se është po ajo e njëjta që është gjetur dy ditë pasi ka ndodhur vrasja.
Vetura është lejuar që të shihet pasi që lënda është në rigjykim. Në gjykimin e parë, palëve nuk u është lejuar që ta shohin veturën, por i kanë parë vetëm fotografitë.
Në seancat paraprake, ka dëshmuar dëshmitari i koduar “E1” dhe 3 dëshmitarë tjerë. Pala mbrojtëse ka hedhur poshtë dëshminë e dëshmitarit “E1” duke thënë se ai gënjen.