‘Monstra’, në mungesë të gazetarëve prezantohen materiale të klasifikuara

Gazetarët megjithatë nuk do ti dëgjojnë “Bisedat e përgjuara telefonike” mes të akuzuarve për rastin “Monstra”.

Marketing

Të vetmit që u lanë ti dëgjojnë bisedat, ishin familjarët e djemve të vrarë, të cilët i janë bashkangjitur akuzës së prokurorëve. Edhe pse gjatë seancave të kaluara, gjykatësit Ognen Stavrev dhe Osman Shabani, patën lënë hapësirë për të shqyrtuar mundësinë që të jenë të pranishëm edhe gazetarët, sot u kumtua vendimi se duhet respektuar procedura e cila obligon përjashtimin e opinionit kur prezantohen masa të veçanta të hetimit.

Këto biseda të përgjuara janë pjesë e dosjes së vjetër të këtij rasti, dhe nuk kanë asnjë lidhje me “bombat” e LSDM-së që u paralajmëruan për vite me radhë, dhe nuk u publikuan asnjëherë.

Për shkak të natyrës së fshehtë të këtyre materialeve që janë të klasifikuara, për to nuk mund të flitet jashtë sallës gjyqësore.

Situatë e njëjtë do të jetë edhe më 4 shkurt kur do të jetë seanca e ardhshme gjyqësore, pasi po ashtu do të vazhdojë prezantimi i materialeve të klasifikuara.