Ekspertizë në automjetin që është pjesë e materialeve dëshmuese do të bëhet sot në kuadër të gjykimit për rastin “Monstra” të Prokurorisë Speciale Publike, për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës nga 12 prilli i vitit 2012.
Në seancat e mëparshme ishte marrë në pyetje një dëshmitar i rrezikuar, i cili dha dëshmi nga një hapësirë tjetër me ndryshim të zërit dhe fotografi të mjegulluar.
Në dëshminë e tij, ai tha se në vendin e ngjarjes kishte qenë më 9, 10, 11 dhe 12 prill, ku e kishte parë “Golfin 3” me xhama të zi në disa lokacione të ndryshme, si dhe dy automjete tjera. I pyetur se a kishte qenë atë natë në vendin e ngjarjes, dëshmitari tha po dhe konfirmoi se kishte parë katër trupa. Ai në gjykatë “identifikoi disa persona nga të akuzuarit dhe i përshkroi”.
Mbrojtja shfaqi dyshim në vërtetësinë e dëshmive të tij, sepse siç reaguan, dëshmitari i dëmtuar është konfuz në përgjigjet. Theksojnë se në dëshminë e njëjtë të tij ishte bazuar edhe gjykimi i mëparshëm për lëndën “Monstra” që ishte ndërprerë nga Gjykata Supreme, ndërsa lënda ishte kthyer në vendim të sërishëm.
Për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, kur janë vrarë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandër Naçevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, me burg të përjetshëm janë dënuar Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Ezim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i ndërpreu gjykimet, i liroi nga paraburgimi të arrestuarit Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u caktoi masa të kujdesit. Pas heqjes së aktgjykimeve, rastin “Monstra” e ndërmori PSP-ja dhe lënda ishte kthyer në gjykim të sërishëm.