Vendimi i presidentes, Gordana Siljanovska Davkova, për të mos nënshkruar dekretin e Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, ku ishin të parapara Licenca edhe në gjuhën shqipe, nuk ka bazë juridike.
Kështu vlerëson profesori universitar, Hasan Jashari, sipas të cilit, këto janë ngarkesa të cilat i dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike, shoqërinë, si dhe përparimin e vendit në përgjithësi.
Ndodhi të tilla të pakëndshme për qytetarët ndodhin edhe për shkak të paqartësive që janë lënë në Kushtetutë, ndërsa figura e presidentit nuk duhet të jetë ajo që nxit situata të pakëndshme dhe të padrejta.
“Edhe te Marrëveshja e Ohrit, edhe te Ligji për përdorimin e gjuhëve për 20%-in. Vetë Kushtetuta ka shumë paqartësi të cilat lënë hapësirë që ligjet të trajtohen në mënyra të ndryshme nga njëra palë dhe nga pala tjetër. Presidentja duhet t’i motivojë njerëzit, duhet t’i motivojë forcat politike që të zgjidhen problemet në mënyrën më të mirë, përkundrazi ajo tash e nxjerr një gurë në mes të rrugës, nxjerr pengesa, nxjerr vështirësi. Asaj i pengon dygjuhësia, asaj i pengon fakti se ne konsiderojmë gjuhën shqipe dhe Kushtetutën si zyrtare, ata asnjëherë nuk e kanë konsideruar si zyrtare. Këtu kemi të bëjmë me një lëvizje të kundërt. Njëra palë tërheq në njërën anë, tjetra tërheq në anën tjetër. Pra këto çështje duhet definitivisht të pastrohen njëherë e përgjithmonë.”, – deklaroi profesori universitar, Hasan Jashari.
Hasani vlerëson se qytetarët parimisht duhet të kursehen nga situate të tilla, të cilat kanë pasoja.
“Koalicionet duhet të jenë të përgatitur për kësi lloj sfidash, ngjarjesh dhe duhet t’i zgjidhin pa mbërritur te publiku, pasi që kur mbërrin te publiku ka rrjedhat dhe pasojat e veta. Shqetësohen njerëzit dhe i kthejnë marrëdhëniet shoqërore mbrapa, ne duhet të ecim përpara. Ne i shohim vendet fqinje që kanë ecur para, ndërsa ne kemi ngelur prapa. Ne përsëri kthehemi në situatën e para vitit 2001 dhe e gjithë kjo është një dështim.”, – theksoi profesori universitar, Hasan Jashari.