Moti i keq zapton Italinë, të paktën 3 viktima, pezullohet mësimi

Vijon vala e motit të keq që ka përfshirë pjesën më të madhe të Italisë. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje, teksa në Toscana, zona më e prekur nga moti i keq, raportohen dhe tre viktima.

Marketing

Aktualisht rajoni ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, teksa po mban kontakte me qeverinë qendrore në rast se situata përkeqësohet dhe është e nevojshme ndihmë tjetër.

Një zjarrfikës në Veneto është shpallur i humbur pasi e mori rrjedha e uji teksa po vendoste thasë me rërë për të penguar përmbytjen e banesës së babait të tij.

Lumenjtë po arrijnë në kuota maksimale dhe shumë shpejt dalja e tyre do ta përkeqësojë më tej situatën pasi reshjet pritet të vijojnë me intensitet të lartë dhe në orët në vijim.

Autoritetet kanë pezulluar procesin mësimor në shumë shkolla, teksa problematika të mëdha janë hasur dhe në qarkullimin e mjeteve dhe atë hekurudhor.