MPB di vendndodhjen e Gruevskit, të hënën pritet të paraqitet në Shutkë

Lajmet se shërbimet e Gjykatës Penale nuk arrijnë ta gjejnë dot ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, nuk janë aspak të vërteta. Vendimi për refuzimin e ankesës së palës mbrojtëse të Gruevskit në fakt i shkon palës mbrojtëse, e më pas Gruevskit, ndërsa i njëjti, në këtë rast, është edhe publik dhe nuk është e patjetërsueshme t’i dorëzohet Gruevskit në dorë.

Marketing

Njohës të çështjeve juridike në vend për gazetën KOHA shpjegojnë se, përkundër këtij vendimi të sotëm të Gjykatës Penale, Gruevski që dje (8 nëntor) është dashur të paraqitet në burgun e Shutkës, pasi vendimi i Sektorit për krim të organizuar dje korrupsion ishte i prerë.

“Gruevski që dje është dashur të paraqitet fillimisht në burgun e Shutkës. Kjo, sepse vendimi për burg prej dy vitesh ishte nga Sektori për krim të organizuar dhe korrupsion i po kësaj gjykate që sot refuzoi ankesën, dmth e Gjykatës Penale”, thonë ekspertë të drejtësisë.

Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e di saktë vendndodhjen e Gruevskit, pasi si ish-kryeministër, ai shoqërohet nga dy punonjës të Drejtorisë së gjashtë të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, ndërsa vozitet edhe me veturë zyrtare, ashtu siç parasheh Ligji për funksionarët e lartë shtetërorë. Kështu që, MPB ka njohuri për çdo lëvizje të Gruevskit.

Me gjasë, dita e hënë do të jetë dita e fundit në liri e Gruevskit, kur i njëjti do të paraqitet vet në burgun e Shutkës, pas seancës së radhës gjyqësore kundër tij.