MPJ: Kompetentët konstatuan dëmtime të gurëve kufitarë në gjatësi prej 12 kilometrave

Përfaqësuesit e pjesës maqedonase të Komisionit kufitar për Sektorin 3 dhe 4, së bashku me përfaqësuesit e ministrive greke të punëve të brendshme dhe të mbrojtjes, të shtunën dolën në terren dhe konstatuan se janë shtrembëruar dhe dëmtuar gurët kufitarë në gjatësi prej 12 kilometrave, informoi sot Ministria e Punëve të Jashtme.

Marketing

MPJ-ja këtë e njoftoi lidhur me informacionet për dëmtimin e gurëve kufitarë në linjën kufitare në kufirin Maqedoni-Greqi nga GK 132 deri në GK 147.

Paraprakisht policia greke kumtoi se disa persona të panjohur kanë shkatërruar dhe dëmtuar 105 gurë kufitarë, që e përcaktojnë kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë, nga ana greke, në komunën Lerin.
Incidenti është konfirmuar edhe nga ana e MPB-së së Maqedonisë.

Në vijim është procedura për zbardhjen e rastit dhe ripërtëritjen e gurëve të dëmtuar kufitarë në pajtim me Marrëveshjen për ruajtje, mirëmbajtje dhe ripërtëritje të shenjave kufitare (tokësore dhe lundruese) dhe për paralajmërim, pengim dhe mënyrë të analizimit dhe zgjidhjes së incidenteve kufitare.