Ministria e Punëve të Jashtme kumtoi se në opinion sërish u shfaqën informacione të pasakta për përmbajtjen e Protokollit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, i cili duhet të jetë procesverbal i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar që del nga Marrëveshja për Miqësi dhe Fqinjësi të Mirë nga viti 2017.
“Një tekst në gjuhën bullgare, i cili përfaqëson një version të vjetër dhe jo të plotë, është publikuar për publikun, si pjesë e grupit të ideve të shumta që janë shkëmbyer mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme në periudhën e kaluar. Në këtë moment të ndjeshëm, ne besojmë se publikimi i këtij informacioni të pasaktë është tendencioz dhe ka për qëllim për të prishur procesin e konsultimeve të gjera për propozimin francez për heqjen e vetos dhe vazhdimin e integrimit evropian të vendit, i cili aktualisht është në fazën përfundimtare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Nga MPJ potencojnë se “përmbajtja e Protokollit eventual ndërmjet dy vendeve, si procesverbal i seancës së ardhshme të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, do të harmonizohet përfundimisht në seancën e vetë këtij Komisioni”.