Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar ndaj vazhdimit të propagandës Serbe për heqjen e njohjeve të Kosovës.
Sipas kësaj ministrie Serbia po përdorë çdo mjet për ta penguar Kosovën ndërkombëtarisht, madje duke përdorë edhe kanale kriminale.
“Të gjitha notat diplomatike të treguara në Beograd të cilat janë hedhur poshtë nga qeveritë përmes kanaleve diplomatike ose publikisht janë shkruar nga një person i vetëm i cili është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës dhe i cili shërben tani si Këshilltar për Ministrin e Jashtëm Serb” thuhet në reagim.
Tutje është bërë e ditur se MPJ-ja ka shprehur shqetësimin se Serbia ka përdorur ryshfete, afera korruptive, shitje të armëve dhe marrëveshje për heqjen e vizave dhe afera jo-moralshme (si rasti i INTERPOL-it) për të kundërshtuar Kosovën.
“Serbia ka ftuar zyrtarë të huaj në Beograd në vizita pa marrë parasysh legjitimitetin e tyre dhe përmes ryshfeteve janë lëshuar “nota diplomatike” dhe dokumente të rreme që janë hedhur poshtë nga vendet përkatëse mandej, si rasti i Liberisë (para TV liberian Presidenti i Liberisë e demanton dhe lëshon komunikate), Ganës, Guinea-Bissaut (akreditimi i Ambasadorit të Kosovës), Burkina Fasos (dërgon dokument që demanton Beogradin), Republikës së Afrikës Qendrore (po zhvillohen hetime për aferë korruptive), Sao Tome and Principe (takimet e nivelit të lartë ku mohohet deklarata e Daçiqit dhe vendet e tjera si Papua New Guinea, Palau, Somalia, Komorët, Burundi. Organizatat ndërkombëtare si Amnesty International kanë shprehur shqetësimin e tyre për shitjen e armëve të Serbisë në Afrikë. Në shumë vende kjo është përdorur si një mjet për të forcuar propagandën e saj në shtëpi për Ivica Daçiqin”.
Ministria e Jashtme gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për normalizimin marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-së, por thekson se Serbia po instalon një klimë që nuk krijon hapësirë për normalizimin e marrëdhënieve.