MPPS po vepron për rastin me fëmijën dyvjeçar

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) kumtoi se është e njoftuar dhe po vepron në rastin në të cilin një fëmijë dyvjeçar me lëndime trupore dje është pranuar në Kirurgjinë e fëmijëve.

Marketing

Menjëherë pas denoncimit të rastit se babai, gjegjësisht bashkëshorti, kishte kryer dhunë familjare ndaj fëmijëve dhe nënës së tyre, gjegjësisht bashkëshortes, theksojnë nga MPPS, ekipi i specializuar profesionist i Qendrës për punë sociale të Qytetit të Shkupit doli në terren.

Babait i është caktuar masa e paraburgimit prej tetë ditëve, ndërsa gjendja shëndetësore e fëmijës dyvjeçar është e mirë dhe sot do të lëshohet në shtëpi. Tre fëmijët tjerë të cilët dje ishin strehuar pas ndërhyrjes në familjen kujdestare do të kthehen te nëna dhe të gjithë së bashku do të vendosen në Qendrën për persona viktima të dhunës familjare. Njëkohësisht, Qendra do të iniciojë procedurë për ndarjen e masave për mbrojtje kohore nga dhuna familjare, theksojnë nga MPPS.

Potencojnë se familja njihet nga Qendra dhe për shkak të denoncimeve të mëparshme për dhunë familjare.

Nga mesi i marsit deri në fillim të prillit të këtij viti, nëna dhe katër fëmijët ishin strehuar në Qendrën për persona viktima të dhunës familjare. Qendrën e kishin lëshuar pas deklaratës me shkrim të nënës se dëshiron të kthehet në shtëpinë e bashkëshortit me fëmijët e saj, sepse i kishin tejkaluar mosmarrëveshjet dhe gjendja në familje është qetësuar, qëndron në kumtesën e Ministrisë.

Marketing