MSH autorizon Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të UT-së për studimet specialistike në mjekësi të përgjithshme

 

Ministri i Shëndetësisë së vendit tonë, Dr. Bekim Sali, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, sot qëndroi për vizitë pune në Universitetin e Tetovës, ku u prit nga Rektori i  Universitetit tonë, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe ekipi i tij.

Marketing

Në këtë takim, Ministri Dr. Bekim Sali, Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti ia dorëzoi autorizimin e Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin kjo ministri zyrtarisht e ka autorizuar Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, që në programin studimor Mjekësi e përgjithshme të realizojë studimet specialistike, për degët: pediatri, gjinekologji, kirurgji e përgjithshme, kardiologji, mjekësi interne dhe psikiatri.

Ky vendim ka hyrë në fuqi pasi komisioni i formuar me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë inspektim të hapësirave të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, sipas të cilit ky fakultet i plotëson kushtet në aspekt të organizimit, kuadrit, hapësirave dhe pajisjeve teknike medicinale për zbatim të pjesës teorike të planit dhe programit për degët specialistike: pediatri, gjinekologji, kirurgji e përgjithshme, kardiologji, mjekësi interne dhe psikiatri.

Në fund të këtij takimi, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti  e falënderoi Ministrin Dr. Bekim Sali për mbështetjen që i ka dhënë Universitetit të Tetovës. Ai, po ashtu, në shenjë respekti dhe mirënjohje për Ministrin Dr. Bekim Sali dhe bashkëpunëtorët e tij ndau disa dhurata simbolike.