Ministria e Shëndetësisë njofton se vendi ka mjaftueshëm mjete për mbrojtje nga koronavirusi gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se Komisioni për Sëmundje Infektive brenda dy-tre ditëve do të finalizojë protokollet për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Kemi sasi të mjaftueshme të pajisjeve mbrojtëse për të gjithë, edhe për mjekët, por edhe për anëtarët e këshillave zgjedhore që duhet të realizojnë zgjedhjet. I hartuam protokollet. Komisioni për Sëmundje Infektive, me kërkesë të Presidentit të vendit, pas takimit të liderëve kërkoi protokoll me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve. Mund të them që ky protokoll është praktikisht i bazuar në të njëjtat parime që vlejnë për organizimin e çdo ngjarje, qoftë në kushte të jashtme apo të brendshme. Gjithashtu respektohen parimet për dezinfektim, maskës dhe distancës. Bazuar në atë protokoll, ne patëm një takim edhe me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nga ku u ngritën disa pyetje të cilave iu përgjigjëm. Kërkesa e fundit është të japim një formë paksa të ndryshuar, por jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe gjithçka do të finalizohet brenda dy-tre ditëve të ardhshme”, tha ministri Filipçe.