Muaji i blerjes së kohës nga Mickoski dhe Taravari

Shkruan: Florian Nesimi

Marketing

Pas largimit të Arben Taravarit nga VLEN-i, u shtrua dilema nëse ai do të vazhdojë edhe më tej të mbetet pjesë e Qeverisë. Pas takimit të tij me kryeministrin Mickoski, u la një hapësirë prej një muaji për gjetjen e një zgjidhjeje eventuale. Këtë muaj mund ta konsiderojmë si muaji i blerjes së kohës nga ana e tyre. Po pse Mickoski dhe Taravari kanë nevojë për këtë hapësirë prej një muaji?

Kryeministrit Mickoski logjikisht nuk i vjen mirë dalja e Taravarit nga Qeveria. Kjo nga shkaku se ai ka nevojë për numër sa më të madh deputetësh që e përbëjnë shumicën e tij parlamentare. Kjo shumicë momentalisht ka 78 deputetë, ndërsa vetë Mickoski publikisht deklaron se për synim e ka arritjen e 80 deputetëve. Por, ashtu siç afrohen zgjedhjet lokale, ka mundësi që të del në pah edhe një prishje tjetër e raporteve partiake, këtë radhë mes VMRO-së dhe ZNAM-it, posaçërisht për dilemën se kujt duhet t’i takojë Komuna e Kumanovës. Dhe shikuar gjërat nga ky aspekt, Mickoski do të përpiqet ta mbajë Taravarin brenda shumicës parlamentare, me të vetmin qëllim që në shumicën e tij të ketë numër sa më të madh deputetësh.

Por edhe Taravari ka nevojë të madhe për blerje të kohës, e që mbase vetëm një muaj nuk do t’i mjaftojë. Ai është i vetëdijshëm se votuesit dhe aktivistët e tij nuk e kanë pritur mirë daljen nga VLEN-i, andaj gjatë këtij muaji ai do të përpiqet të bindë elektoratin e tij se nuk dalur me vetëdëshirë nga koalicioni, por është përjashtuar. Po ashtu gjatë këtij muaji ai do të përpiqet të arrijë një marrëveshje me BDI-në për zgjedhjet lokale, gjë që do të jetë e vështirë pasi që BDI nuk i jep atij mbi dy komuna.

E daljen e Taravarit nga Qeveria më shumë do ta shfrytëzojë pikërisht BDI-ja e cila tani do të bëhet edhe më e zëshme duke kontestuar legjitimitetin e VLEN-it. Ata vazhdimisht do të deklarojnë se numri i nëntë deputetëve shqiptarë nuk është i mjaftueshëm për të përfaqësuar shqiptarët në Qeveri. Por ky qëndrim i tyre nuk ka asnjë bazë pasi legjitimitetin VLEN-i e ka fituar në kutitë e votimit ku ka arritur një rezultat zgjedhor prej 107 mijë votash. Pazarllëqet e bëra në korridoret e fshehta dhe kalimi i deputetëve nga njëri tabor në taborin tjetër politik nuk e dëmtojnë legjitimitetin e fituar në zgjedhje.

Opozita shqiptare, e cila siç duket nuk është në gjendje të krijojë një identitet të ri politik dhe nuk arrin assesi të reformohet, nga pamundësia për të ofruar diçka të re në vigjilje të zgjedhjeve lokale, ajo vazhdimisht e hedh topin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kur nuk kanë kaluar akoma as një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, kërkesa për zgjedhje të parakohshme është jashtë çdo logjike. Opozita shqiptare do të kishte të drejtë në kërkesën për zgjedhje të parakohshme vetëm nëse arrin që në zgjedhjet lokale të muajit tetor të korr ndonjë fitore me dallim të madh votash ndaj VLEN-it.

E kur jemi te VLEN-i, tre partitë e këtij koalicioni qeverisës duket se janë të unifikuar në politikëbërjen e tyre, e ky unifikim si rezultat përfundimtar do të ketë krijimin e një partie të përbashkët. Dalja e Taravarit nga koalicioni i tyre dhe nga qeveria, përskaj rënies së numrit të deputetëve, nuk duket se do t’i dëmtojë ata. Përkundrazi, nëse ata arrijnë fitore në komunat urbane siç janë Tetova, Çairi, Struga e të tjera, atëherë me plot të drejtë do të thirren në legjitimitetin e plotë të shqiptarëve.

Gjithsesi se dalja e Taravarit nga Qeveria, krijimi i një partie të përbashkët të VLEN-it dhe zgjedhjet lokale të muajit tetor do të sjellin një rreshtim të ri në skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.