Muaji i shenjtë i Ramazanit/Urimi i kreut të BFI-së Sulejman Rexhepi (Video)

Të nderuar besimtarë të Islamit, vëllezër e motra,
Jemi në vigjile të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, muaj ky i shpalljes së Kuranit, muaj i agjërimit në emër të Zotit, muaj i sakrificës dhe dashurisë.

Marketing

Për fat të keq, kësaj here ky muaj i shenjtë vjen në një kohë delikate e të vështirë për tërë njerëzimin, i cili po lufton me pandeminë e shkaktuar nga virusi Covid-19. Ndodh në kohën kur të gjithë Ne po përpiqemi të mbrojmë veten dhe familjet tona, të mbrojmë shoqërinë e të mbrojmë popullin.

Së këndejmi, më lejoni që këtë paraqitje timen t’ia kushtoj qëndrimit që ka Islami ndaj shëndetit në përgjithësi dhe ndaj epidemive të ndryshme në veçanti.

Janë pesë vlera universale (esenciale), të cilave myslimani detyrimisht duhet t’u kushtojë vëmendje të plotë dhe s’guxon të dëmtojë asnjërën prej tyre, sepse çdo veprim ndryshe konsiderohet rreptësisht i ndaluar, dhe bart përgjegjësi jo vetëm morale por dhe ligjore islame. Këto vlera janë:
Ruajtja e fesë, e kombit – Ummetit dhe vatanit
Ruajtja e jetës dhe e trupit,
Ruajtja e mendjes – e arsyes,
Ruajtja e familjes, e nderit dhe e moralit; dhe
5. Ruajtja e pasurisë private dhe shoqërore.
Prej shumë begative të mëdha që i ka dhuruar Allahu (xh. sh.) njeriut, përveç begatisë së besimit shëndeti llogaritet ndër begatia prioritare, për të cilën çdo njeri, e veçmas besimatari ka detyrim të përkujdeset. Në këtë rrafsh, parimi islam është se “ Preventiva është më e mirë se shërimi”. Ky parim i kahershëm i Islamit është pjesë përbërëse e besimit të myslimanëve tani e 14 shekuj. Dhe, të mos harrojmë: myslimani e kërkon ndihmën dhe i drejtohet Allahut për shpëtim, vetëm nëse ndërmerr masat e duhura parprake për të mbrojtur shëndetin. Ndryshe, çdo veprim konsiderohet jo i kuptuar drejtë dhe keqpërdorim i parimeve të Islamit.

Në Sahihun e Imam Buhariut (r. a.) gjejmë të regjistruar tregimin e Omer ibn Hatabit (r. a.), i cili në cilësinë e Halifit ishte nisur për në Sham, për të vizituar bazën ushtarake që kishte atje, në krye të së cilës ishte Ebu Ubejde ibn Xherrahin. Rrugës duke shkuar, ai takon Ubejden, kreun më të lartë të ushtrisë i cili e informon se në Sham ka rënë një epidemi. Ajo po merrte jetën e shumë njerëzve. Omeri (r. a.), për të marrë një qëndrim, konsultoi të gjitha palët – ensarët e muhaxhirët – të cilët kishin mendime të ndryshme. Në fund mori qëndrim që të kthehet, të mos hyjë në Sham, sepse atje, pos që rrezikohet jeta e tij, por në rrezik janë edhe jetrat e atyre që i kishte me vete. Ubejd ibn Xherrahu, i cili kishte diametralisht mendim të ndryshëm nga mendimi i Halifit, i tha: “A po ik prej kaderit (përcaktimit) të Zotit, o Omer!?” Omeri (r. a.) tha: ”Po. Po ikim nga kaderi i Allahut, në kaderin e Allahut.” Gjatë kësaj bisede mes tyre, arriti Abdurrahman ibn Aufi, i cili, pasi kuptoi rrjedhën e bisedës, tha: “Unë di për këtë çështje, kam informacion, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) duke thënë: ‘Nëse dëgjoni se në një vend ka epidemi (sëmundje ngjitëse), mos hyni në atë vend; e nëse eventualisht gjendeni në atë vend, mos u largoni nga ai vend për të ikur prej saj’.” Në këtë rast Omeri (r. a.) falënderoi Allahun (xh. sh.) dhe u kthye për në Medinë.
Ubejde ibn Xherrahu vazhdoi rrugën për në Sham, dhe u godit nga epidemia, e cila i morri jetën atij dhe gjith të tjetrëve, e që thuhet se në atë kohë, kishte marrë jetën e rreth tridhjetë mijë njerëzve – ushtarë e civilë. Pas tij komandën e mori Muadh ibn Xhebeli (r. a.), i cili po ashtu u godit nga epidemia dhe humbi jetën. Pas tij komandën e mori Amr ibn Asi (r. a.), i cili vendosi të merrte masa, me çrast iu drejtua popullit, me fjalët: “O ju njerëz, vërtet kjo epidemi është sikur zjarri i ndezur; ju jeni lënda djegëse e këtij zjarri; shpërndahuni nëpër kodrat (malet) e Shamit dhe izolohuni derisa zjarri të mos gjejë më ç’të djegë dhe Allahu ta ngrejë këtë sprovë prej nesh”. Këtë udhëzim të Amrit e zbatoi populli dhe shpëtuan nga pandemia.

Pra, vetizolimi apo karantina, në rastet e shfaqjes së epidemive të ndryshme, bazën e përcaktimit e ka në burimet e sheriatit islam, përkatësisht në sistemin juridik islam dhe në parimet e përgjithshme islame.

Nocioni karantinë rrjedh nga gjuha italiane “kuarantena”, ose nga gjuha frënge “quaratine”, që do të thotë ‘rreth të dyzetat’. Ky nocion në literaturën islame njihet si “el-HIXHRU es-S I H-H I J الحَجْرُ الصِّحِّيُّ “, që ka për qëllim izolimin e individëve apo edhe grupeve që janë goditur apo kanë rrezik të goditjes me ndonjë sëmundje ngjitëse, me intencë të ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm.
Këto janë parime të përgjithshme, për të cilat flet Pejgamberi (a. s.), kurse format e organizimit të izolimit, masat që duhet të merren, koha sa duhet qëndruar në vetizolim dhe çështje të tjera – janë teknikalitete, me të cilat duhet të merren ekspertët e fushës përkatëse, organet kompetente dhe Ministria e Shëndetësisë.
Nga argumentet e përgjithshme, nga të cilat qartë nënkuptohet mbrojtja nga rreziku i epidemive apo pandemive të ndryshme, është edhe ajeti kuranor ku Allahu (xh. sh.) thotë: “Mos e hidhni veten me duart tuaja në rrezik dhe, bëni mirë; se me të vërtetë, Allahu i do bamirësit.” (El Bekare: 195).

Në hadithin e transmetuar nga Xhabiri (r. a.) thuhet se Pejgamberi (a. s.) ka thënë: “Ai që ik nga sëmundja ngjitëse (nga vendi ku e ka fillesën sëmundja ngjitëse) është i ngjashëm me atë që ikë (dezerton ) nga vija e frontit të luftës, kurse ai që qëndron në atë vend dhe ballafaqohet me durimin ndaj kësaj sëmundje është si ai durimtari në vijën e frontit.”
Analiza e këtij hadithi të Pejgamberit (a. s.) tregon për dy urdhra ndalese:
ndalimi i daljes nga vendi i cili është kapluar nga epidemia, që të mos përhapë sëmundjen edhe te njerëzit tjerë, dhe ndalimi i hyrjes së njerëzve të tjerë nga jashtë në atë vend ku ka epidemi, kurse mosrespektimi i këtyre urdhrave konsiderohet mëkat prej mëkateve të mëdha.

Kështu e kishin kuptuar Islamin gjenerata e artë e sahabëve dhe ashtu kishin vepruar. Imam Maliku (r. a.) në Senedin e tij tregon se Omer ibn Hatabi (r. a.) njëherë, duke qenë në Haxh, e pa një grua e cila bënte Tavaf rreth Qabesë, tek e cila vëreheshin shenja të një sëmundje ngjitëse. Omeri (r. a.) si Halif i myslimanëve që ishte, iu afrua gruas dhe i tha: Oj robëresha e Allahut, mos i dëmto njerëzit; do të ishte më mirë sikur ti të kishe qëndruar në shtëpi! Pra, prezenca jote është rrezik, që me këtë sëmundje të dëmtosh edhe të tjerët. E, nëse e bën këtë, atëherë dëmi yt është më i madh se sa sevapi që bën me bërit Tavaf Qaben. Gruaja e dëgjoi porosinë e Omerit (r. a.) dhe menjëherë u izolua në shtëpi.

Dijetari, mufessiri dhe historiani i njohur islam Ibni Kethiri në veprën tij “El Bidajetu ve en-Nihaje” thotë: Karantinën – izolimin, si institucion zyrtar dhe si vend të veçantë me qëllim shërimin e njerëzve të sëmurë nga këto sëmundje (ngjitëse), për herë të parë në historinë e njerëzimit juridikisht e normoi dhe finansiarisht e mirëmbajti kalifi emevit El Velid ibn Abdulmelik (mes viteve 707-708),. Ai në Sham ngriti spitalin enkas për shërimin e të sëmurëve, me sëmundje ngjitëse. Bota perëndimore e njohu karantinën në vitin 1377, kur ajo u hap në Venedik të Italisë dhe Raguza (Dubrovnikun e sodit) të Kroacisë, që do të thotë se këto masa dhe institucione bota islame i kishte ngritur plot 660 vjet para se ato të paraqiteshin në pjesën perëndimore të botës.
Konkludojmë se karantimi apo izolimi në rastet e shfaqjeve të epidemive apo pandemive, është detyrim islam i obligueshëm, urdhër i Pejgamberit (a. s.) që duhet me patjetër të respektohet, ndërsa menaxhimi i këtyre pandemive si, mënyra e izolimit, koha e izolimit – janë çështje të ekspertëve të lëmive përkatëse.

Vëllezër e motra,
Islami është fe e dritës dhe e diturisë. Islami nuk injoron, as anashkalon e përbuz parimet e shëndosha shkencore. Përkundrazi, respekton dhe kontribuon me shekuj në favor atyre parimeve.
Apeloj dhe ju lutem që t’ju përmbahemi parimeve islame për shëndetin tuaj dhe të gjith të tjerëve dhe, njëkohësisht, të respektojmë atë që thonë mjekët dhe ekspertët lidhur me pandeminë Covid – 19. Vetëm ashtu do të ngadhënjejmë dhe do t’i kthehemi normalitetit të jetëve tona; vetëm kështu do të jenë të justifikuar lutjet tona për kërkim shpëtim drejtuar Allahut të Gjithmëshirshëm.
Në fund, po Ju përkujtoj se, Ramazani edhe në këto ditë të vështira do t’i gëzojë zemrat tona, kurse agjërimi mbetet obligim i çdo besimtari që është i shëndoshë fizikisht e psikikisht, si dhe i gjithë atyre që nuk janë udhëtarë. Nga xhamitë tona do të vazhdon të dëgjohet Ezani, si gjithmonë, dhe kandilat do të ndriçojnë me tërë bukurinë e tyre.

Të gjitha myftinitë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut tanimë kanë marrë obligimin të organizojnë ligjërata të ndryshme fetare nëpër mediat e vendit, kurse në çdo xhami për çdo ditë në kohën e drekës do të këndohet nga një mukabele. Ramazani do të jetë i bukur si përherë, pa marrë parasysh nëse situata e krijuar na detyron të falim namazet, kushtuar Allahut (xh. sh.), nëpër shtëpitë tona.

Të gjithë besimtarëve myslimanë në Maqedoninë e Veriut e më gjerë, si edhe atyre nga diaspora jonë e çmuar, Allahu i Plotfuqishëm ua pranoftë ibadetet dhe iu dhashtë gëzime.
Ju dëshiroj Ramazan të këndshëm dhe shëndet të plotë, thotë në urimin e tij, kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Paraqitje publike e Reisul Ulemas së BFI h. Sulejman ef. Rexhepihttps://youtu.be/g0dTwCipVPk

Publiée par Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë-Исламска Верска Заедница на Македонија sur Jeudi 23 avril 2020

Marketing