Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, sot është bërë pranim-dorëzimi i detyrës ndërmjet ministrit të sapoemëruar Timço Mucunski dhe ministrit të deritanishëm Bujar Osmani.
Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se Osmani i uroi suksese Mucunskit në realizimin e aktiviteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, ndërsa Mucunski tha se në periudhën në vijim theksi do të vihet në përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane të vendit, partneritetit strategjik me SHBA-në, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
“Përkundër sfidave të shumta, me punë dhe vendosmëri të përkushtuar, do të arrihen qëllimet e përcaktuara në programin e planifikuar për punën e Qeverisë, theksoi Mucunski në takimin.
Mucunski më herët ia ka dorëzuar pozitën e kryetarit të Komunës Aerodrom Dejan Miteskit, i cili do të jetë drejtori i ri u.d. i Komunës.
Në një postim në Fejsbuk, Mucunski tha se Aerodromi mbetet në duart e një njeriu punëtor dhe të përkushtuar, i cili në të kaluarën me postin e tij si kryetar i Këshillit ka dhënë një kontribut serioz në funksionimin dhe zhvillimin e komunës.
“Falënderim i madh deri te qytetarët e Aerodromit dhe administratës komunale për gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin në periudhën e kaluar, ka shkruar Mucunski në profilin e tij në Fejsbuk.
Miteski i uroi Mucunskit punë të suksesshme si ministër i Punëve të Jashtme, me dëshirën për bashkëpunim të sinqertë edhe në të ardhmen.
“Dua t’i shpreh mirënjohjen time të madhe kryetarit të VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski për besimin që më dha, por edhe të gjithë qytetarëve për mbështetjen e sinqertë dhe mund të premtoj se me përkushtim dhe punë të palodhur, së bashku me punëtorët në komunë të vazhdojmë me realizimin e një numri të madh të projekteve të rëndësishme për një Aerodrom edhe më të mirë dhe më të bukur, publikoi Miteski në Fejsbuk.