Mbrojtja e Arkës shtetërore është misioni primar i Policisë financiare, një mision ky i cili aktualisht është mjaft i vështirë, po edhe shumë i rëndësishëm për vendin.
Numri një i këtij institucioni, Arafat Muharemi, gjatë një interviste në emisionin “Zgjohu me ne” në TVM2, informoi për sfidat të cilat i ka Drejtoria e policisë financiare. Krahas shumë rasteve në të cilat është duke punuar kjo drejtori, ajo më e rëndësishmja është hetimi i keqpërdorimeve të bëra gjatë projektit “Shkupi 2014”. Veç më janë zbardhur disa raste, por nuk mungojnë as vështirësitë, pasi paratë e keqpërdoruara kanë përfunduar jashtë shtetit, thotë ai.
“Ato raste për të cilat nuk është kompetente Prokuroria Speciale, hetohen në Drejtorinë e policisë financiare. Një apo dy raste i zbardhëm me kryetarin e komunës së Qendrës. Shumë shpejt do të dalë edhe një rast, i cili është i përfunduar.
Këtu do të ketë të akuzuar disa funksionarë. Mundohemi të konstatojmë edhe larjen e parave, mirëpo është shumë e vështirë për arsye se ne funksionojmë vetëm në kuadër të shtetit të RM-së. Kemi transaksione të cilat janë jashtë kufijve të RM-së. Është i vështirë konstatimi i atyre të hollave se ku kanë përfunduar për shkak se duhet bashkëpunim ndërkombëtar”,- tha drejtori i Policisë financiare, Arafat Muharemi.
Policia financiare ende nuk ka hetuar zyrtarët shtetërorë të qeverisë së tanishme dhe sipas Muharemit kjo ende nuk ka ndodhur me justifikimin e kohës së shkurtër të ekzistimit të kësaj qeverie. Por, ai thekson se nuk do të ketë përjashtime, duke siguruar se çdokush i cili mendon që të keqpërdor paratë shtetërore, duhet ta dijë se policia financiare do t’i trokasë në derë.
“Këtë vit e morëm guximin që të jemi më vendimtarë në hetimin e çdo rasti, pa marrë parasysh a ka ndodhur në kohën e kaluar apo të tashme. Shumë herë më është parashtruar pyetja: a nuk kemi ndonjë hetim për funksionarët e tanishëm të kësaj qeverie, parashtrohet pyetja pse. Është mirë të kalohet një vit, një vit e gjysmë, edhe raportet buxhetore të përfundojnë. Me marrjen e raporteve, pastaj në bazë të revizionit, besoj se do të ketë”,- tha z. Muharemi.
Muharemi informoi se për një vit janë hetuar rreth dy mijë raste, ku janë konstatuar keqpërdorime financiare. Pas verifikimit të keqpërdorimeve financiare, paratë e vjedhura apo të keqpërdorura kthehen në buxhet, kurse nuk përjashtohen edhe raste ku mund të merren masa ndëshkuese ndaj keqpërdoruesve.