Mungesë kuadri, por edhe mospërkushtim për arritjen e cilësisë. Kështu ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska, e përshkruan gjendjen e arsimit parashkollor, ku janë kyçur një e treta e fëmijëve në vend.
Për vitin e ardhshëm paralajmëroi punësime të reja dhe objekte të reja në vendbanimet rurale, sepse, sipas saj, zhvillimi i hershëm i fëmijëve është kyç në arsimimin e mëtejshëm.
“Është identifikuar mungesë e kuadrit, andaj është miratuar punësimi i 1200 personave dhe po punohet edhe për ndërtimin e kopshteve të reja, sidomos në vendbanimet rurale”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.
MASH: TË PËRKUSHTUAR NË PËRMIRËSIMIN E KUSHTEVE
Nga MASh thonë se janë maksimalisht të përkushtuar për përmirësimin e kushteve si në arsimin parashkollor po ashtu edhe në atë shkollor.
“Maksimalisht jemi të përkushtuar që të ketë arritje të cilësisë së kompetencave edhe të edukatorëve por njëkohësisht edhe të përmirësimit të kushteve infrastrukturore, si në çerdhe po ashtu edhe në institucionet shkollore, përmirësim të cilësisë së planeve dhe programeve mësimore të cilët padyshim ndikojnë në rritjen e kualitetit të procesit mësimor”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
UNICEF: TË GJITHË FËMIJËT TË KYÇEN NË KOPSHTE
Nga UNICEF potencojnë se fëmijët nga familjet e varfra kanë 200 herë më pak mundësi të kyçen në kopshte në krahasim me të pasurit dhe kjo gjendje duhet ndryshuar.
“Kjo nuk është e drejtë, sepse nëse e vëzhgoni një mësonjëtore të klasës së parë do vëreni se ka dallime në aftësinë e të mësuarit dhe dallime gjuhësore te fëmijët që nuk kanë qenë të kyçur në arsimin parashkollor për dallim nga të tjerët”,- theksoi përfaqësuesi i UNICEF-it në Maqedoni, Benxhamin Perks.
Nxënësve duhet t’u mundësohet arsimim cilësor, sepse mësimi në moshë të hershme është kyç për zhvillimin e aftësive sociale tek fëmijët, u tha me këtë rast.