Kosova i dha fund ëndrrës për të marrë pjesë në finalet e Kampionatit Europian, pasi u mposht 2-1 nga Maqedonia e Veriut në Shkup, në sfidën e vlefshme për Play Off-in e Ligës së Kombeve, ndërsa tifozët “qanë” gjatë për mungesën e tre titullarëve të ekipit, Rrahmani, Rashica e Muriqi.
Këta të fundit nuk u shpëtuan as të sharave e akuzave nga tifozë të ndryshëm, për faktin se nuk u vunë në dispozicion të trajnerit Challandes për këtë sfidë mjaft të rëndësishme, ndërsa Vedat Muriqi ka zgjedhur të sqarojë gjithçka nëpërmjet një letre të hapur.
Sulmuesi që vetëm pak ditë më parë u transferua te Lazio në kampionatin italian, sqaron të gjithë tifozët se e ka pasur të qartë rëndësinë e ndeshjes, por forma e tij nuk ka qenë e duhura për të luajtur, pasi nuk stërvitet prej dy muajsh.
Letra e Muriqit:
Përshëndetje për mbarë popullin e Kosovës! Pas ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, u paraqitën një mori mesazhesh, komentesh e lajmesh lidhur me mua. Kjo më shtyu që të bëj një deklaratë sqaruese për opinionin publik.
Kam qenë i vetëdijshëm për peshën e ndeshjes me Maqedoninë e Veriut; për rëndësinë që ajo kishte për vendin tonë dhe për mua personalisht. Fatkeqësisht, humbëm. Me gjithë zemër doja që ekipi ynë të dilte fitimtar.
Po kështu, e di se të gjithë bashkëlojtarët, i gjithë populli ndanin këtë ndjesi dhe se tani bashkërisht gjendemi në një pikëllim të thellë. Që të gjithë synonim të kalonim në finale dhe më pas ta realizonim ëndrrën e pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian.
Me dëshirë të papërshkrueshme kam dashur të jem në fushën e blertë së bashku me skuadrën e shtetit tonë, mirëpo kjo nuk qe e mundur pasi përjetova disa raste fatkeqe.
Para së gjithash, duhet të dëftoj se në periudhën e fundit prej dy muaj e gjysmë kam kaluar nëpër situatë fizike dhe psikologjike të pakëndshme për një futbollist. Në përgatitjet për sezonin e ri me Fenerbahçen, qysh në stërvitjen e dytë, më është lënduar në shkallë të dytë muskuli i prapmë i këmbës së majtë.
Mua më ishte thënë se rikuperimi im do të zgjaste mesatarisht ndërmjet 4-6 javë. Për rrjedhojë, nuk kam marrë pjesë në ushtrimet me ekipin e Fenerbahçes për një muaj rresht.
Dihet se procesi i transferimit është mjaft sfidues për secilin futbollist. Brenda një muaji isha duke u kuruar dhe ramë dakord me klubin italian Lazio, por për shkaqe burokratike jam detyruar të kthehem nga Italia përsëri në Turqi.
Pasi i kreva procedurat administrative dhe u pajisa me vizë, si kërkesë e shumë vendeve të botës, kam kryer edhe testin për COVID-19. Testi më doli pozitiv dhe kjo më mundoi më tej.
Edhe ashtu po kaloja në një periudhë të vështirë fizike dhe nuk bëja ushtrime, me përjashtim të atyre për kurim. Gjersa po e përfundoja karantinën (izolimin) dyjavore, kam kontaktuar në telefon me trajnerin e kombëtares sonë, Bernard Challandes.
Të dy ishim të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me rrethana të pafavorshme, por unë i thashë se do të bëja çmos që të isha i gatshëm për ndeshjen me Maqedoninë. Pas procesit të izolimit, menjëherë shkova në Itali.
Sipas Protokollit të Ligës Seria A, secili futbollist që ka qenë i infektuar me virusin COVID-19, duhet t’i nënshtrohet të gjitha kontrolleve mjekësore, përfshirë kontrollin e ritmit kardiak. Për këtë arsye i humba edhe dy ditë.
Ditën e parë që vajta në klubin e ri, u njoftova se muskuli i majtë nuk ishte shëruar plotësisht dhe në një presion të mundshëm, lëndimi do të ishte më serioz dhe mund të zgjaste 3-4 muaj.
Përkundër këtyre, unë kërkova nga klubi që të rifilloj me vrapimet për të fituar kondicionin/fuqinë. Pas dy ditësh nisa dalëngadalë të bëj vrapime. Mirëpo, për shkak se ende nuk isha i gatshëm, ndjeva trysni në muskulin e djathtë, kurse në pjesën e lënduar të këmbës së majtë m’u paraqit një dhimbje prapë dhe u shtrëngova t’i pezulloj ushtrimet për dy ditë të tjera.
Kësisoj, kam arritur të marr pjesë vetëm në dy stërvitje deri pas ndeshjes me Maqedoninë e Veriut. Përpos lëndimit, po të ishte problemi vetëm më kondicionin, do të dëshiroja të isha gjithsesi me ekipin kombëtar.
Këtë ua shpjegova edhe kryetarit të Federatës dhe trajnerit tonë. Po të kisha mundësi të djersitja fanellën e shtetit tonë për vetëm pesë minuta, do të luftoja për të bërë të pamundurën në fushë.
Por, po të luaja duke menduar për këmbën e lënduar dhe duke u ruajtur nga duelet, atëherë nuk do të isha më Vedat Muriqi. Kjo do të dëmtonte jo vetëm karakterin tim, por edhe shtetin dhe ekipin tonë.
Për asnjë moment nuk kam dashur t’i lë vetë bashkëlojtarët e mi, por rezultatet e të dyja kontrolleve mjekësore ishin të prera: nuk dukej e përshtatshme të zhvilloja ndeshje futbolli tani. Për këtë arsye mbeta jashtë fushës.
Ne jemi një ekip kombëtar i mirë. Do të arrijmë suksese të kënaqshme së bashku: ekipi dhe i gjithë vendi. E di mjaft mirë se të bashkuar mund të jemi shumë të fortë e të suksesshëm.
Ende jemi në krye të rrugës dhe na presin ditë të mira. Ndjeva obligim që ta bëj këtë sqarim publik pas mesazheve dhe komenteve në adresë timen. Ju falënderoj për mirëkuptimin! U pafshim sa më parë në fushën e blertë! Me dashuri e respekt, Vedat Muriqi.