Murtezani i përgjigjet BDI-së për gjuhën shqipe: Ja si e zbatonit kur ishit në Qeveri (FOTO)
Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së se Qeveria nuk po i publikon procesverbalet e seancave edhe në gjuhën shqipe.
Përmes një postimi në Facebook, Murtezani ka akuzuar BDI-në se po manipulon me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe ka publikuar, siç thotë ai, disa argumente nga periudha kur kjo parti ishte pjesë e Qeverisë, transmeton aktuale.mk
“Pasi BDI manipulon gjatë gjithë kohës me gjuhën shqipe, po i prezantojmë vetëm disa argumente se sa BDI-ja e zbatonte gjuhën shqipe kur ata ishin në Qeveri. Faktet po jua sjellim në vite të ndryshme gjatë qeverisjes së tyre. Urdhëroni”, ka shkruar Murtezani.
Reagimi i tij vjen pasi BDI akuzoi Qeverinë se procesverbalet e seancave nuk po publikohen në gjuhën shqipe.
Murtezani, përmes materialeve të publikuara në rrjetet sociale, synon të tregojë se edhe gjatë viteve kur BDI ishte pjesë e pushtetit ka pasur raste kur dokumentet institucionale nuk kanë qenë të publikuara apo të disponueshme në gjuhën shqipe.
Përplasja mes BDI-së dhe përfaqësuesve të Qeverisë për përdorimin institucional të gjuhës shqipe vazhdon me akuza dhe kundërakuza nga të dyja palët.



