Murtezani: Integrimi gradual në BE, urë drejt reformave të qëndrueshme dhe përfitime reale

Në Ministrinë për Çështje Evropiane u mbajt panel diskutim në temë “Metodologjia e zgjerimit: Shkëmbim i qëndrimeve për konceptin e integrimit gradual”, organizuar nga Ambasada e Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Instituti Zhak Delor, në bashkëpunim me Ministrinë për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Ngjarja u hap me fjalimet përshëndetëse të Ministrit për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani dhe Ambasadorit francez, Kristof Le Rigoler. Në fjalën e tij, Ministri Murtezani theksoi rëndësinë e integrimit gradual si qasje strategjike që sjell përfitime konkrete për vendet kandidate gjatë procesit të aderimit. Ai theksoi se Metodologjia e re e zgjerimit dhe Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor e përforcojnë dinamikën e procesit të aderimit përmes hapave të qartë dhe të strukturuar. Ai nënvizoi se integrimi gradual paraqet mundësi thelbësore për përforcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike mes Bashkimit Evropian dhe vendeve aspirantë.

Murtezani gjithashtu theksoi se bashkëpunimi rajonal është element kyç i integrimit gradual, duke e potencuar rolin e Procesit të Berlinit në avancimin e infrastrukturës, tregtisë dhe tranzicionit energjetik. Ai theksoi se zhvillimet e fundit gjeopolitike përforcojnë nevojën për integrim më të shpejtë dhe më thelbësor të Ballkanit Perëndimor në BE. “Zhvillimet e fundit gjeopolitike, veçanërisht pushtimi rus i Ukrainës, më shumë përforcuan rëndësinë strategjike të zgjerimit të BE-së, duke potencuar nevojën për Evropë të bashkuar dhe të qëndrueshme”, përfundoi Murtezani.

Pas fjalimeve hyrëse, vijoi panel diskutimi me pjesëmarrjen e ekspertëve nga fusha e integrimeve evropiane, të cilët analizuan aplikimin e integrimit gradual në kontekstin më të gjerë të zgjerimeve evropiane.

Marketing