Publikimin e bisedave të paligjshme ndaj funksionarëve të partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, në rrjetin social facebook dhe portale, eksperti për çështje të sigurisë Hasim Murtezani i konsideron si dështim të sistemit të sigurisë së qeverisjes së kaluar. Murtezani thotë se sipas të gjitha gjasave këto përgjime i takojnë periudhës së kaluar, dhe nuk mund të bëhet fjalë për përgjime të reja, duke rikujtuar periudhën kur para 4 viteve, lideri i atëhershëm i opozitës maqedonase Zoran Zaev filloi me publikimin e bombave politike.
“Sigurisht se këtu është në pyetje sistemi, megjithatë duhet të bëjmë dallimin e situatës, Me sa e kemi ndëgjuar ne i bie që përgjimet e tilla i takojnë periudhës së kaluar dhe nuk bëhet fjalë për përgjime të reja të cilat i takojnë sistemit aktual. Dmth ska dyshim se gjatë viteve të kaluara ngjarjet e tilla ishin tejet dështuese për sistemin e sigurisë”, tha Hasim Murtezan, Ekspert për çështje të sigurisë.
Sipas tij organet e ndjekjes duhet të trajtojnë me seriozitet rastin në fjalë pasi që Marrëveshja e Përzhinës dhe aktet Ligjore ndalojnë një gjë të tillë që paraqet kërcënim për demokracinë.
“Në këtë drejtim ne nuk mund të themi me saktësi se nga vijnë përgjimet e tilla, megjithatë në rastin konkret ka një adresë të caktuar , një adresë konkrete e cila bën publikimin e përgjimeve të tilla dhe në këtë drejtim ne vetëm mund të konstatojmë se çështja e tillë duhet të merret me seriozitet nga ana e organeve të rendit. Mendoj se me marrëveshjen e Përzhinës u bo ndalesa ligjore për vazhdimin e përgjimeve të tilla dhe rastet e tilla kaluan në PSP, d.m.th organ i vetëm ligjorë i cili mund të bëjë përpunimin e materialeve të tilla,sigurisht se është PSP ,të gjitha veprimet tjera janë antiligjore dhe të papranueshme”, tha Murtezan.
Pas reagimeve të shumta në opinion lidhur me publikimin e bisedave të përgjuara ,kryeministri Zoran Zaev kategorikisht mohoi që bisedat e tilla të kenë dalë nga LSDM ,ndërsa një njoftim i ngjashëm erdhi edhe nga Prokuroria speciale publike ,prej ku thanë se materialet nga bisedat e përgjuara, që ata posedojnë si dëshmi i ruajnë në vend të sigurt, kështu duke mohuar se të njëjtat të kanë dalë nga kjo Prokurori. Aktualisht organet e rendit kanë ngritur padi penale për personin EL Çeka i cili nga profili i tij në Facebok filloi publikimin e bisedave.