Murtezani – Strand: Përmbushja e kritereve reformuese, por edhe sigurimi i perspektivës së qartë të BE-së për rajonin

Në kuadër të vizitës së punës në Finlandë, Ministri për Çështje Evropiane i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, mëngjesin e sotëm mbajti takim me Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Finlandës, Joakim Strand, në të cilin u biseduan perspektivat e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe rëndësia e procesit të zgjerimit të BE-së si qëllim strategjik për stabilitetin dhe progresin e rajonit.
Ministri Murtezani falënderoi për mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme të Finlandës për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, e cila nuk manifestohet vetëm me mbështetjen politike, por edhe përmes ndihmës konkrete teknike dhe eksperte. Murtezani nënvizoi rëndësinë e Tuining projekteve të realizuar, të cilat deri më tani përfshijnë shtatë nisma të suksesshme me pjesëmarrjen e ekspertëve finlandezë.
MÇE Murtezani theksoi se Maqedonia e Veriut fuqishëm është e përkushtuar në rrugën evropiane dhe se progresi i vendit në proceset reformuese meriton mbështetje të vazhdueshme nga shtetet anëtare të Unionit. Bashkëbiseduesit diskutuan për aktivitetet e radhës në kontekst të reformave në sferat kyçe, si sundimi i së drejtës, përforcimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike. Murtezani informoi për progresin e Maqedonisë së Veriut në harmonizimin me standardet evropiane, si dhe gatishmërinë e vendit për hapjen e Klasterit të parë “Vlerat Themelore” në negociatat me BE-në.
Bashkëbiseduesit shprehën interes për intensifikimin e bashkëpunimit në kuadër të Tuining projekteve të reja, të cilat do të mbulojnë fushat e reformave në administratën publike, zhvillimin e mëtejshëm të digjitalizimit dhe përforcimin e kapaciteteve organizative dhe institucionale për procesin e negociatave për aderim në Union. Murtezani dhe Strand konstatuan se përmbushja e kritereve reformuese është kyçe, por edhe se procesi i aderimit drejt Unionit duhet të mbetet dinamik dhe i kapshëm, për të ruajtur motivimin e qytetarëve dhe qeverive të vendeve kandidate.

Marketing
Marketing