Edhe përkundër faktit se ende nuk ka epilog konkret se si do të jetë fati i Ndihmës së Shpejtë dhe vizitave shtëpiake, për të cilat Qeveria e Maqedonisë muaj më për shpalli tender për dhënien e urgjencës sipas partneritetit privat-publik, ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tender të ri për përgatitjen e Analizës se a mund të shkojnë edhe shërbimet laboratorike te ndonjë partner privat.
Në dokumentacionin tenderik thuhet se qëllimi i studimit fizibiliti është të gjendet mënyra për përmirësimin e shërbimeve laboratorike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkruan gazeta KOHA.
“Qëllimi kryesor është të vendosim kapitalin privat përmes modeleve të ndryshme të partneritetit privato-publik për çka pacientët nuk do të udhëtojnë larg nga vendbanimi i tyre ku jetojnë që të kryejnë analiza të ndryshme laboratorike”, thuhet në dokumentacionin tenderik. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se edhe sikur të gjendet partneri privato-publik, partneri publik gjithmonë do të këtë kontroll dhe mbikëqyrje në punën e partnerit privat në çdo aspekt operativ dhe financiar.
“Shumë e rëndësishme për pacientët është që, gjatë marrjes së shërbimeve mjekësore, si deri më tani, t’i marrin përmes Fondit Shëndetësor dhe se nuk do të paguajnë shpenzime shtesë për analizat laboratorike. Kjo do të thotë se sistemi shëndetësor përmes kësaj simbioze ka për qëllim që pacientët për shërbime mjekësore – për çdo denar që do të japin, të fitojnë shërbim të saktë dhe maksimal të shpejtë në mënyrë sa më të lehtë”, thotë Asim Musa, zëvendësministër i Shëndetësisë, ndërsa siguron se me këtë shëndetësia nuk shkon drejt privatizimit siç po raportohet nga media të shumta në Maqedoni.
“Konkretisht bëhet fjalë për hapjen e laboratorëve në ato vendbanime ku shëndetësia publike nuk ka laboratorë. Për shembull, në Strugë të themi – nuk ka laborator për analiza mikrobiologjike. Tani ministria ofron tender për partneritet privat ku do të hapen laboratore të reja për analiza të ndryshme, ndërsa Fondi i Shëndetësisë do të mbulojë të gjitha shpenzimet për çdo analizë dhe qytetarët do të paguajnë çmim të njëjtë sikur në laboratorët e klinikave shëndetësore publike”, thotë Musa. Nga këtu edhe ideja e Ministrisë së Shëndetësisë është të hapen laborator përkatëse në ato vendbanime ku nuk ka laborator.
“Për hapjen e këtyre laboratorëve është hapur dhe tender. Por jo për laboratorët ekzistuese publike. Nuk do të privatizohen laboratorët ekzistuese, por të hapen laboratorë të ri në ato vendbanime që nuk ofrohen shërbime të analizave laboratorike përkatëse. Do të thotë se Ministria e Shëndetësisë kërkon partneritet privat që të ofrojë shërbime laboratorike në ato vendbanime ku nuk ka laborator përkatës për analiza laboratorike”, shprehet zëvendësministri Musa. Prandaj, jo vetëm unë, thotë ai, por askush nga Ministria e Shëndetësisë deri më sot nuk ka shfaqur ndonjë ide se shëndetësia publike në Maqedoni duhet të shkojë drejt privatizimit.
“Unë dhe subjekti që përfaqësoj jemi kundër privatizimit të shëndetësisë publike, përfshirë edhe laboratorëve ekzistuese në institucionet shëndetësore në gjithë Maqedoninë”, thotë kategorik Asim Musa, zëvendësministër i Shëndetësisë. (koha.mk)