Muslimanët australianë mbushin xhamitë për namazin e parë të taravisë

Mbi 600 mijë muslimanë që jetojnë në Australi kanë falur namazin e taravisë së parë të Ramazanit në xhamitë, mesxhidet dhe vend-adhurimet e përkohshme në mbarë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Muslimanët australianë u mblodhën në mbi 200 xhami, mesxhide dhe vend-adhurime të përkohshme në mbarë vendin për të falur namazin parë të taravisë së Ramazanit që do të fillojë nesër.

Qindra muslimanë me rrënjë etnike të ndryshme, përfshirë edhe turqit australianë, mbushën xhaminë Meadow Heights, e cila është një nga xhamitë me më shumë besimtarë që i përket turqve në Melbourne. Besimtarët fillimisht dëgjuan fjalime rreth Ramazanit e agjërimit dhe më pas falën namazin e jacisë.

Me heqjen e kufizimeve gjatë viteve 2020-2021 të zbatuara në kuadër të masave kundër koronavirusit COVID-19, muslimanët në vend u rreshtuan krah për krah për të falur namazin e parë të taravisë.

Sipas numërimit të fundit të popullsisë që u krye në vitin 2016 në Australi, muslimanët përbëjnë 2,6 për qind të popullatës dhe numri i tyre është regjistruar të jetë 604.200.

Brenda politikave multi-kulturore të Australisë, muslimanëve u lejohet të kryejnë lirshëm lutjet edhe aktivitetet kulturore në xhamitë dhe mesxhidet e tyre.