Musliu: Nuk besoj se partitë opozitare shqiptare kërkesat e tyre do t’i kushtëzojnë me votimin e ndryshimeve kushtetuese

Ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë, kanë hyrë në fazën e dytë, me shqyrtimin e amendamenteve të Qeverisë që janë hartuar në marrëveshje me grupin e deputetëve të përjashtuar të VMRO-së, të cilët i kishin paraqitur si kusht për mbështetjen e ndryshimeve, por pas plotësimit të kërkesës tjetër për amnistinë e të gjithë personave të përfshirë në dhunën më 27 prill 2017.

Marketing

Amendamentet kanë të bëjnë me disa ndërhyrje në marrëveshjen me Greqinë, me qëllim, siç thuhet, ruajtjen identitetit maqedonas, të gjuhës dhe veçorive kulturore, kujdesin për shtetasit e Maqedonisë jashtë vendit, por edhe tërheqjen apo anulimin e marrëveshjes nëse e njëjta nuk ratifikohet nga Parlamenti i Greqisë.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se mbështetje për amendamentet vështirë se do të ketë pa miratimin e amnistisë për personat e përfshirë në dhunën në Kuvend.

“Mendoj se rol të madh në miratimin e ndryshimeve kushtetuese do të ketë finalizimi i punës së grupit për pajtim apo amnistia eventuale për një pjesë të pjesëmarrësve në të enjten e përgjakshme, më 27 prill. Nëse këtyre ditëve do të ketë ndonjë epilog lidhur me atë që po diskuton ky grup i punës, pra atë që presin deputetët që votuan fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, ky proces do të jetë më i lehtë. Unë besoj se do të ketë ndonjë zgjidhje racionale, por mbetet të shihet se çfarë do t’u ofrohet atyre si kompensim për të mbështetur ndryshimet edhe në fazën finale”, thotë Tito Petkovski, ish-kryetar i Kuvendit dhe deputet në disa përbërje parlamentare.

Ai thotë se nuk pret që të ketë pengesa nga ana e opozitës lidhur me zvarritjen e seancave të komisioneve apo të Kuvendit, pasi tashmë, sipas tij, edhe VMRO-ja e ka parë se nga ndonjë veprim i tillë nuk mund të përfitojë asgjë. Veç kësaj, sipas ish-kreut të Kuvendit, pengesat i pamundëson edhe Rregullorja mbi punën e Kuvendit.

“Rregullorja është hartuar në atë mënyrë që pamundëson bllokimin e seancave kur është fjala për ndryshimet kushtetuese. Gjithçka është e definuar shumë qartë, dihen ditët që janë paraparë për çdo amendament, debatet në komisione, debatet publike, seancat plenare, fjalimet e deputetëve dhe votimi final. Nuk besoj se do të ketë pengesa pasi nuk do të kenë asnjë efekt pozitiv për opozitën edhe për faktin se shumica sërish do të ketë dy të tretat e nevojshme, nëse nuk paraqitet ndonjë problem me deputetët që e mbështetën fazën e parë”, thotë Petkovski.

Por, Albert Musliu konsideron se debati nuk do të kalojë edhe aq lehtë duke marrë vendimin e opozitës për protesta.

“Ne e shohim se VMRO-ja tenton të rikthehet pak dhe të rrisë nivelin e tensionit në skenën politike dhe mundohet që të kemi debate më të ashpra, por gjithsesi se kjo fazë e ndryshimeve kushtetuese do të kalojë në afatin e përcaktuar. Nuk besoj se do të mbyllet para kohe, por edhe vonesa nuk do të ketë dhe kjo fazë do të kalojë mirë”, thotë Musliu.

Sa i përket opozitës shqiptare dhe paralajmërimit të saj për amendamente shtesë me qëllim të, siç ka thënë, zgjidhjes së çështjeve shqiptare, definimin e shqiptarëve në Kushtetutë si popull shtetformues dhe avancimin e gjuhës shqipe apo heqjes së përcaktimit si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës, Musliu nuk beson se opozita do ta bllokojë procesin.

“Nuk besoj se partitë opozitare shqiptare kërkesat e tyre do t’i kushtëzojnë me votimin e ndryshimeve kushtetuese, së paku qëndrimet e tyre ishin të qarta në këtë drejtim. Besoj se do të tentojnë të argumentojnë nevojën për ndryshime kushtetuese edhe sa i përket amendamenteve që kërkohen prej tyre. Ka mendime të ndryshme lidhur me mundësinë që ato të bëhen në këtë fazë, përveçse nëse ato i propozon Qeveria, e cila është edhe iniciues i ndryshimeve kushtetuese. Mendoj se do të jetë debat i ashpër nga ana e opozitës shqiptare, por nuk besoj se do ta bllokojnë procesin dhe do ta kushtëzojnë me përmbushjen e kërkesave të tyre”, thotë Musliu.

Neni 7 i Kushtetutës së Maqedonisë, ku flitet për gjuhën të cilën e flasin “20 për qind” e popullsisë së Maqedonisë.

​Marrëveshja me Greqinë është arritur më 17 qershor në Prespë dhe me të parashihet ndryshimi i emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut.

Me këtë marrëveshje synohet të zgjidhet kontesti 27-vjeçar me emrin dhe zhbllokimi i procesit i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Por, mbyllja e këtij problemi varet nëse ndryshimet kushtetuese mbështeten edhe nga tetë deputetët e përjashtuar të VMRO-së, pasi në të kundërtën shumica parlamentare nuk do t’i ketë dy të tretat e votave, aq sa nevojiten për të kaluar ndryshimet kushtetuese, që janë vendimtare për zbatimin e marrëveshjes.