Shkodran Mustafi ka rritur edhe më shumë spekulimet për një largim të mundshëm nga Arsenali këtë verë.
Mbrojtësi shqiptar ka çmendur fansat me ndryshimin e fotos së profilit në Instagram dhe e fshiu “Lojtar i Arsenalit” nga të dhënat në Instagram.
Ai e ndërroi foton me fanellë të Arsenalit me një të përditshme, ndërsa aty ku ka shkruar “Lojtar i Arsenalit”, shkroi me emoji “Back on top”.
Lidhur me këtë veprim të Mustafit kanë reaguar nga gëzimi fansat e “Topçinjve”, simpatinë e të cilëve duket se kurrë nuk e kishte mbrojtësi shqiptar.
“Lajm i mirë, ndoshta do të shkojë te Ajax”, “Lamtumirë, s’kishim nevojë për ty, një ndër lojtarët më të dobët që ka pas Arsenali”, “Po ndodh!!! Ju lutem Arsenal, kryejeni më këtë punë”, ishin disa nga komentet e shumta të tifozëve në “Twitter”.
28-vjeçari është pjesë e Arsenalit që nga viti 2016. Ai ka bërë 112 paraqitje me “Topçinjtë” dhe ka shënuar 8 gola.