Mustafi nis bisedimet me Fenerbahcen, pasi Arsenali e nxjerr në shitje

Unai Emery i ka kërkuar hierarkisë së Arsenalit të shesë mbrojtësin shqiptar Shkodran Mustafin, interesim për të cilin ka shprehur gjiganti turk Fenerbahce.

Marketing

Sipas mediave në Angli, menjëherë pas humbjes së Arsenalit nga Chelsea në finale të Ligës së Evropës në maj, trajneri spanjoll i kishte kërkuar drejtuesve të klubit ta shesin Mustafin, shkruan Gazeta Express.

Humbja e thellë 4:1 nga Chelsea në Baku nënkuptoi se Arsenali e humbi shansin e fundit për ta siguruar një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi në Premierligë e mbylli sezonin në pozitën e pestë.

Mustafi, dikur përfaqësues i Kombëtares së Gjermanisë, pati një sezon për ta harruar në Emirates dhe mori kritika të vazhdueshme, shpesh herë shumë të mëdha, për gabimet e tij amatore që i kushtuan Arsenalit në garë për të përfunduar në top katërshe në ligë.

Emery e mbrojti Mustafin gjatë sezonit dhe madje u bëri thirrje tifozëve të mos e kritikonin shqiptarin. Por, sipas BBC-së, qëndrimi i trajnerit spanjoll për Mustafin ka ndryshuar rrënjësisht pas disfatës në Ligën e Evropës. Ai tani e do 27-vjeçarin larg Arsenalit.

Ndërkohë, mediat turke raportojnë se Fenerbahce e do Mustafin, të cilin e vlerëson për stilin e lojës.

Sipas uebsajtit turk Aksam, klubi turk ka nisur kontaktet me menaxherin e Mustafit, i cili i ka edhe dy vjet kontratë me klubin londinez. Më 2016, Mustafi u ble për një shumë të lartë prej 40 milionë euro nga Valencia.

Thuhet se Fenerbahce e pëlqen faktin se Mustafi e ka përvojën e duhur dhe ka aftësi të luajë me të dy këmbët.