“Mysafirllëku” i Gruevskit në Hungari, sfidë për BE-në!

Arratisja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në Hungari, do të shkaktojë shumë probleme në vend dhe jashtë, ëkshtu vlerëson në një prononcim për Zhurnal, analisti politik, Ismail Arsllani.

Marketing

Sipas tij, ai, edhe në këtë rast, mbeti konsekuent në veprimet e veta, për të shkaktuar probleme.

“Në Maqedoni, kur të kthjellohen paksa punët, pritet të bëhen shkarkime të bartësve të funksioneve në Gjyqësor dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shkak të përgjegjësisë faktike që kanë disa individë në gjithë këtë situatë të pakëndshme, me arratisjen e një personi kyç që ka shkaktuar disa kriza politike në vend dhe ka bërë veprime kriminale. Kjo arratisje, jo edhe e papritur, do të jetë një sfidë e madhe edhe për BE-në dhe institucionet e saj, për shkak të implikimit të drejtpërdrejtë në këtë çështje të Hungarisë, e cila është anëtare fuqiplote e saj. Kjo, aq më shumë, ngase, sipas informatave që qarkullojnë, këtë strehim për ish-kryeministrin maqedonas e ka përgatitur kryeministri hungarez, Orban, një politikan rigid dhe despotik, me të cilin ka probleme edhe vetë BE-ja”, thotë për Zhurnal, Ismail Arsllani, analist.

Së këndejmi, shton mëtej Arsllani, BE-ja do të jetë në një siklet të madh për sa i përket menaxhimit të këtij rasti, për shkak të pritjes që kreu qeveritar hungarez të bëjë obstruksione në procesin e ekstradimit të “mikut” të vet nga Hungaria për në Maqedoni.

“E gjithë kjo, besoj, nuk do të kalojë pa pasoja, për shkak të prapavijave të mundshme dhe implikimeve të vendeve të tjera në zgjidhjen e këtij rasti, deri në prangosjen e Gruevskit, i cili, një kohë, mund të mbetet në paraburgim edhe në Hungari”, nënvizon Arsllani.

Marketing