N.P “Higjiena” nga Tearca: Uji është i ndotur shkaku i pastrimit pa leje të bazeneve të hidrocentraleve

Nga Ndërmarrja Publike “Higjiena” në Komunën e Tearcës njoftojnë se uji në këtë komunë është i ndotur ngaqë është bërë pastrimi i bazeneve të hidrocentraleve nga “Ak Invest” pa lejen e komunës. Redaksia e Portalb.mk kontaktoi me kompaninë “Ak Invest”, ata thanë se do të dalin me prononcim për rastin gjatë ditës, transmeton Portalb.mk.

Marketing

Më 12 gusht të këtij viti Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) doli me njoftim se uji në Komunën e Tearcës është i ndotur me fekale dhe mund të përdoret vetëm për përdorim teknik. Mostrat për ujin nga ISHP janë marrë pas alarmimit nga një mjek për numër të madh të pacientëve me simptoma helmimi. Komuna e Tearcës thotë se kjo ka ardhur shkaku i pastrimit të bazeneve të hidrocentraleve nga “Ak Invest” pa lejen e komunës.

“”Ak Invest” i mirëmban hidrocentralet, ata kanë bërë kërkesë që t’i pastrojnë bazenet e tyre, jo hidrocentralet. Ata kanë kërkuar me datë 5 gusht prej nesh, që t’u japim leje për pastrim të bazeneve, ne nuk ju kemi dhënë leje sepse temperaturat janë shumë të larta dhe ujë ka pak, në dokument nuk figuron nënshkrimi im. Me marrëveshje është që ata në pranverë dhe në vjeshtën e vonshme të mundin t’i pastrojnë bazenet e tyre. Ata pa lejen tonë, i kanë pastruar bazenet, dhe ky është shkaku se kur vjen uji nga bazenet e tyre, në përbërje ka gurë, rërë, mbeturina, dhe ndonëse kalon nëpër sistemin filtrues, sistemi mund vetëm ta pastrojë, nuk mund t’ia largojë erën dhe t’ia ndërrojë shijen”, thotë drejtori i N.P “Higjiena”, Mefail Miftari.

Miftari njofton që shkaku i harxhimit të shumtë të ujit gjatë verës, ata kanë kapacitet që vetëm 4 orë ta furnizojnë fshatin, andaj kyçin ujin e lumit i cili kalon në sistem filtrimi para se të kalojë në rezervuar. I njëjti do të jetë i kyçur në sistemin e ujit për pije deri ditën e hënë, 19 gusht.

“Për arsye se në Tearcë aq shumë harxhohet uji, se ujiten oborret, parqet, në vend që neve të na duhen 15-20 litra ujë në sekondë, për 4000 banorë, ne harxhojmë 40 litra ujë në sekondë, e kur nuk është i mjaftueshëm marrim prej lumit Bistrica. Aspak nuk është e vërtet se kur uji merret prej lumit vjen direkt, ka sistem filtrues, prej sistemit filtrues shkon në klorator, prej kloratori shkon uji në rezervuarin tonë. Në qoftë se ne ndalim ujin e lumit, vetëm prej burimeve ne kemi kapacitet që ta furnizojmë me ujë Tearcën vetëm 4 orë”, njofton Miftari.

Nga ana tjetër qytetarët thonë se po përdorin ujin vetëm për pastrim dhe se i njëjti është i ndotur për disa ditë me radhë tani.

Ditë më parë qytetarët reaguan që komuna nuk i ka njoftuar ata për ndotjen e ujit të pijshëm.

“Nuk kemi ujë të pijshëm, ja bëjmë disi, ose blejmë ose e vlojmë, por nuk është në rregull. Në ujin për pije nuk është në rregull të hyjë ujë nga lumi”, u shpreh një banor.

Nga ana tjetër, Miftari nuk pranon që qytetarët nuk kanë qenë të njoftuar për ndotjen e ujit.

“Unë pa marrë shkresë prej ISHP se uji nuk është për pije nuk mund t’i njoftoj qytetarët. Ata njoftohen me shkresa nëpër kafene e dyqane, çdoherë e kemi shfrytëzuar këtë mënyrë. Ne e pranojmë, uji është kështu edhe do mundohemi ta përmirësojmë. Kërkojmë që qytetarët të kenë pak durim deri ditën e martë. Ata e dijnë që ne e marrim ujin prej lumit gjatë verës që 20 vite”, shprehet Miftari.

Ai thotë se mjeku Ilija nga ISHP ka sugjeruar që më mirë të rrijë uji teknik se është temperatura shumë e lartë, andaj dhe e kanë lënë vetëm teknik. Miftari ndër të tjera ankohet edhe se qytetarët nuk e paguajnë ujin që harxhojnë.

“Tearca ka borxh vetëm prej ujit 1.843.970 denarë ose 30.032 euro, qytetarët nuk e paguajnë ujin që e harxhojnë. Ne kemi gabime, por edhe qytetarët kanë”, shprehet Miftari.