Ndihma të tjera mjekësore kanë mbërritur në Indi nga donatorë të huaj me shpresën të lehtësojnë sadopak krizën e thellë të rezervave të oksigjenit që ka pllakosur vendin.
Bilanci i vdekjeve atje shënoi të dielën një tjetër nivel rekord: gati 3.700 jetë të humbura brenda 24 orësh, bilanci më i lartë ditor ky që prej fillimit të pandemisë. Pothuajse 400 mijë infektime të reja e çuan në 19.5 milionë numrin e rasteve të regjistruara në këtë vend.
Të dhënat e fundit u raportuan ne një kohë kur drejt Delhit u nisën nga Franca e Gjermania ndihma të shumta që përfshinin pajisje mjekësore, e sidomos rezerva oksigjeni. Të shtunën, humbën jetën të paktën 12 persona, përfshirë dhe një mjek, kur spitali shumë i njohur në të cilin po trajtoheshin mbeti pa oksigjen, e një panoramë e tillë e zymtë paraqitet edhe në spitale të tjera të vendit.
“Është një betejë e përditshme tashmë. Gjysma e stafit në spitalin ku unë punoj, është në rrugë me bombola nëpër duar të cilat përpiqen t`i mbushin ku të munden”, shkroi në Twitter, Gautam Singh, drejtori i qendrës spitalore Shri Ram Singh.
Megjithëse në Indi ndodhet fabrika më e madhe në botë për prodhimin e vaksinave, e njohur si Instituti Indian i Serumeve, vetëm 2 për qind e 1.3 miliardë banorëve të vendit janë vaksinuar deri tani. Në fundjavë, autoritetet deklaruan se çdokush mbi 18 vjeç kualifikohet tani për vaksinim, por shumë klinika kanë raportuar mungesa në furnizime.